Ambasadorja amerikane Kim u është drejtuar kandidatëve të koalicionit Shtëpia e Lirisë me disa pyetje.
Ajo shkruan në Twitter se nëse ata mbështeten nga një person i shpallur non grata për korrupsion të konsiderueshëm, duke nënkuptuar ish-kryeministrin Berisha, atëherë çfarë po u premtojnë votuesve.
“Pyetje për kandidatët: Nëse sponsori juaj kryesor është dikush i përcaktuar nga SHBA për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po u premtoni votuesve? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?” – shkruan Kim në Twitter.
Deklarata e ambasadores amerikane vjen pas një serie akuzash nga ish-kryeministri Berisha ndaj saj. Ky i fundit e ka quajtur atë ‘guvernatore’ të Shqipërisë dhe i ka kërkuar të mos ndërhyjë në çështje të brendshme që nuk i takojnë.