Vendosni fjalën kyçe....

Kosova hedh poshtë pretendimet ruse për mercenarë në Ukrainë: Të pavërteta e tendencioze , fushatë e egër propagandistike


Ministrja e Jashtme e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e ministrit të Jashtëm të Rusisë Lavrov se ‘mercenarë nga Kosova’ po dërgohen në rajonin Donbass në Ukrainë për të luftuar kundër separatistëve të mbështetur nga Moska.

Ministria e Jashtme e Kosovës i cilësoi si të ‘pavërtetë dhe tendencioz çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se gjoja ‘Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin….’, shkruan REL.

Agjencia e lajmeve ruse TASS ka raportuar më 18 shkurt se ministri Lavrov kishte deklaruar se Rusia po verifikonte raportimet se ‘mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina po dërgohen në Donbas’.

Në reagiminzyrtar të ministrisë thuhet se me ligjet në fuqi, qytetarëve të Kosovës u ndalohet që të marrin pjesë në luftëra jashtë vendit.

“MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane.” – thuhet në reagimin zyrtar.

Sipas Prishtinës zyrtare, fushata e Rusisë kundër Kosovës dhe shteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, ‘ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë’.

MPJD tha se Kosova është në solidaritet me Ukrainën dhe dënon ‘politikën hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës’, vijon REL.