Pas përplasjeve në distancë mes ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim dhe Komisionit të Rithemelimit të PD-së, vjen një reagim nga Gazment Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, thotë se dënon sulmin që sipas tij i është bërë SHBA-ve, duke e konsideruar si një solidarizim me të tjerë persona “non grata” përveç Sali Berishës: Vangjush Dakon dhe Tom Doshin.
“2 nga 3 palët në këto zgjedhje, PS dhe ‘Shtëpia e Ilirit’ kanë mbrapa njerëz të shpallur non grata nga SHBA për korrupsion.
Vangjush Dako është shefi politik dhe drejtuesi i fushatës së kandidates së PS në Durrës. Tom Doshi, është shefi politik dhe drejtues i fushatës së kandidates së PS në Shkodër. Sali Berisha është shefi politik i 6 kandidatëve të tjerë të Shtëpisë së Ilir Metës.
Sulmi i sotëm ndaj SHBA është solidarizim me non gratat e Edi Ramës. Hall i përbashkët, sjellje e përbashkët!”-shkruan Bardhi.
Ky reagim i Bashës vjen pas thirrjes që Komisioni i Rithemelimit të PD-së dhe ish-kryeministri Berisha, i bënë ambasadores Yuri Kim që të tërhiqte mbapsht deklaratat e saj kundra kandidatëve të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.
Kujtojmë se ambasadorja amerikane paraditen e sotme, iu drejtua kandidatëve të Berishës me disa pyetje. Ajo shkruajti në Twitter se nëse ata mbështeten nga një person i shpallur “non grata” duke iu referuar Berishës, atëherë çfarë po u premtojnë votuesve.
“Pyetje për kandidatët: Nëse sponsori juaj kryesor është dikush i përcaktuar nga SHBA për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po u premtoni votuesve? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?”– shkruante Kim në Twitter.