Vendosni fjalën kyçe....

Republikat e Donbasit i bëjnë thirrje Putinit të njohë pavarësinë e tyre


Udhëheqësit e dy republikave të vetëshpallura separatiste të Ukrainës i kanë bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin, që të njohë rajonet separatiste si shtete të pavarura.

Sipas RT-së, kreu i Republikës së vetëshpallur Popullore të Luganskut (LPR) Leonid Pasechnik, i bëri thirrje Putinit, duke këmbëngulur se afirmimi i sovranitetit të tyre nga Moska do të ndihmojë në shmangien e vdekjeve masive të banorëve të tyre, nga të cilët thuhet se 300 mijë janë rusë etnikë.

“Unë kërkoj nga ju që të njihni sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës Popullore të Luganskut. Gjithashtu ju kërkoj të merrni parasysh mundësinë e lidhjes së një marrëveshjeje miqësie dhe bashkëpunimi midis LPR dhe Federatës Ruse, duke përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje.”– tha Pasechnik në kanalin televiziv Rusi-24.

Në të njëjtën kohë, edhe lideri i Republikës Popullore të Donetskut (DPR), Denis Pushilin i bëri thirrje në mënyrë të ngjashme presidentit rus që të njohë pavarësinë e rajonit të tij. Kujtojmë se të dy rajonet deklaruan autonominë e tyre nga Kievi në vitin 2014.

Sipas Pushilin, “vendimet politike të liderit rus, si njohja e dokumenteve të lëshuara për banorët e republikave tona dhe mundësia për t’u bërë qytetarë rusë, janë të paçmueshme për ne”.

“Në emër të të gjithë popullit të Republikës Popullore të Donetskut ju kërkojmë të njihni Republikën Popullore të Donjeckut si një shtet të pavarur, demokratik, ligjor, social.”- vazhdoi ai, citon RT.

Kërkesat vijnë pasi forcat besnike ndaj rajoneve të shkëputura dhe forcat e Kievit akuzojnë njëra-tjetrën për sulme të rënda përgjatë vijës së kontaktit. Presidenti i SHBA-ve Joe Biden shprehu shqetësimin javën e kaluar se rritja e luftimeve mund të jetë fillimi i një operacioni të stisur nga Moska për të krijuar një shkak dhe për të pushtuar fqinjin e saj. Kremlini megjithatë, i ka mohuar vazhdimisht akuzat se ka ndonjë plan për të nisur një sulm të tillë dhe Putin ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike të krizës.