Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka rënë dakord “në parim” për të mbajtur një samit me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi krizën në Ukrainë.
Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet e propozuara nga Franca do të zhvillohen vetëm nëse Rusia nuk pushton fqinjin e saj.
Kremlini nga ana tjetër tha se nuk kishte “plane konkrete” për të mbajtur një samit, shkruan BBC.
Shpresohet se bisedime të tilla mund të ofrojnë një zgjidhje të mundshme diplomatike për një nga krizat më të këqija të sigurisë në Evropë në dekada.
Zyrtarët amerikanë duke iu referuar informacioneve që vijnë nga Inteligjenca, sugjerojnë se Rusia është gati të nisë një operacion ushtarak. Gjë të cilën Moska e mohon.
Samiti i propozuar u njoftua nga presidenca franceze pas dy telefonatave midis presidentit Emmanuel Macron dhe homologut të tij rus Putin, të cilat vazhduan për pothuajse tre orë në total.
Zyra e Macron tha se detajet e samitit të mundshëm do të diskutoheshin gjatë një takimi midis Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov të enjten.