Vendosni fjalën kyçe....

Dalin pamjet nga tuneli përmes të cilit do grabitej banka te “Zogu I”


Publikohen pamjet nga tuneli i nëndheshëm që ishte ndërtuar për të mbërritur tek banka e ndodhur në bulevardin “Zogu I” në Tiranë.

Brenda tunelit që shihet në videot e mëposhtme, policia ka gjetur prova materiale të cilat janë çuar në laborator për përfitimin e gjurmëve të gishtave apo materialeve biologjike për identifikimin e autorëve.

Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Zogu I”, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Bëhet fjalë për zonën ku po kryen punime nga bashkia ku ndodhen tunelet e ujërave.

Policia e Tiranës përmes një njoftimi për mediet ka zbardhur skemën sesi është tentuar të grabitej banka, duke përdorur tunele të nëndheshme me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të bankës. Në tunel kishte nisur të bëhej një çarje për të hyrë nga poshtë bankës. Policia ka zbuluar tubacionet e dëmtuara dhe gërmimet e kryera për të mbërritur tek banka ku ishte planifikuar të kryhej grabitja.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.

Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.”- bënte me dije më herët Policia.