Vendosni fjalën kyçe....

“La Casa De Papel” në mes të Tiranës – Policia zbulon skemën si po tentohej të grabitej një bankë te “Zogu I” përmes tuneleve të nëndheshme


Zbulohet tentativa e grabitjes së një banke të nivelit të dytë në qendër të Tiranës. Një ngjarje që për shkak të detajeve se si planifikohej kjo grabitje, të kujton serialin e famshëm të Netflix “La Casa de Papel”.

Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Zogu I”, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Bëhet fjalë për zonën ku po kryen punime nga bashkia ku ndodhen tunelet e ujërave.

Policia e Tiranës përmes një njoftimi për mediet ka zbardhur skemën sesi është tentuar të grabitej banka, duke përdorur tunele të nëndheshme me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme. Policia ka zbuluar tubacionet e dëmtuara dhe gërmimet e kryera për të mbërritur tek banka ku ishte planifikuar të kryhej grabitja.

Vetëm një ditë më parë në këtë zonë, brenda një pusete u gjet një armë zjarri, e cila dyshohet se mund të përdorej nga autorët për grabitjen e bankës.

Njoftimi i policisë:

Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.

Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.