Vendosni fjalën kyçe....

PD: Qeveria dhe Rama e dinin se inceneratori i Elbasanit ishte aferë korruptive


Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu ka publikuar dokumentin e 2 qershorit 2020, që tregon një inspektim financiar të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të bërë për inceneratorin e Elbasanit përfshirë edhe shoqërinë koncesionare.

Logu shkruan se inspektimi ka filluar me kërkesë të Kryeministrit duke cituar ligjin nr.112/2015 “Për inspektimin financiar publik”.

Në seancën e sotme në Komisionit Hetimor, Ëngjëll Agaçi nuk foli për inspektimin dhe gjetjet e tij.

Në 2 qershor 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë vendosi fillimin e inspektimit financiar në të gjitha institucionet përgjegjëse për inceneratorin e Elbasanit, përfshirë edhe shoqërinë konçesionare, për kontrollin e ligjshmërisë së procedurave dhe pagesave të kryera lidhur me këtë konçesion (shih fotot 1&2).

Inspektimi është filluar me kërkesë të Kryeministrit (shih nenin 8, pika 2, gërma “b” të ligjit nr. 112/2015 “Për inspektimin financiar publik”), pasi siç kërkohet nga ligji, ekzistonin dyshime të arsyeshme për elemente të keqmenaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit (shih pikën 3 të udhëzimit nr. 29/2015 “Për kriteret e fillimit të inspektimit financiar publik”).

Praktikisht, Edi Rama dhe qeveritarët e tij kishin pranuar se inceneratori i Elbasanit ishte një aferë korruptive. Sekretari i Qeverisë Rama, ashtu si administratori i inceneratorit të Fierit, nuk mbante mend se në qershor 2020, pikërisht institucioni ku ai punonte prej 7 vitesh, kishte urdhëruar kryerjen e një auditi të inceneratorit të Elbasanit për shkelje të rënda ligjore.

Sekretari i Qeverisë Rama nuk dha asnjë përgjigje se cilat ishin gjetjet e këtij inspektimi, cilat ishin shkeljet ligjore të konstatuara, kush ishin personat përgjegjës dhe çfarë masash u morën apo nëse dikush u shpërblye për të mbyllur gojën dhe lënë në harresë një procedurë ligjore që do të nxirrte zbuluar zullume me ministra, deputetë dhe kryebashkiakë.

SPAK duhet të sekuestrojë dokumentacionin e plotë të kësaj procedure, duke faktuar edhe një herë se Edi Rama dhe të tijët e kishin fare të qartë se Elbasani ishte një aferë e pastër korruptive. E megjithatë, për asnjë moment nuk i ndaluan pagesat, që vazhdojnë edhe sot kur ministri që ka nënshkruar kontratat është pas hekurave”-shkruan Logu.