Vendosni fjalën kyçe....

Ursula von der Leyen në tjetër situatë të pakëndshme, ministri afrikan s’i jep dorën (Video)


Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e gjeti veten në një situatë të pakëndshme gjatë samitit të BE-së në Afrikë të premten, kur ajo u injorua nga ministri i Jashtëm i Ugandës.

Incidenti i turpshëm u shpalos gjatë një fotografie protokollare, ku von der Leyen mori pjesë së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidentin e Francës Emmanuel Macron.

Zyrtarja e përshëndeti kryediplomatin e Ugandës, Abubakhar Jeje Odongo, i cili në dukje e injoroi atë dhe kaloi pranë saj për të shtrënguar duart me dy burrat, tregojnë pamjet.

Ministri përshëndeti Michel dhe Macron, duke u angazhuar në një bisedë me të dy. Odongo më pas qëndroi për foton e protokollit, ende pa u takuar me von der Leyen.

U desh një përpjekje nga Macron që tregoi në drejtimin e saj për të tërhequr vëmendjen e Odongo te presidentja e Komisionit. Më pas ai shkëmbeu pak fjalë me të dhe u largua.

Incidenti nxiti menjëherë krahasimet me skandalin famëkeq të ‘Sofagate’ që u shpalos në prill të vitit të kaluar. Në atë kohë, von der Leyen vizitoi Turqinë së bashku me Michel, duke takuar presidentin e vendit Recep Tayyip Erdogan. Zyrtarja mbeti e ulur vetëm në një divan, ndërsa Erdogan dhe Michel u ulë pranë njëri-tjetrit  gjatë bisedimeve.

Skandali shkaktoi akuza për seksizëm dhe mizogjini kundër Erdoganit dhe e la Michel nën kritika për dështimin për të mbrojtur von der Leyen. Ndërkohë që zyrtarët e BE-së dhe Turqisë u përpoqën ta mbyllnin aferën si një keqkuptim të protokolleve, von der Leyen tha se incidenti e la atë të ndihej ‘vetëm’ si ‘si grua e si evropiane’.

Mungesa e dukshme e veprimit të Michel gjatë incidentit të ri tërhoqi kritika të reja, me disa që e akuzuan zyrtarin se nuk ka nxjerrë mësime nga ‘Sofagate’.