Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj i nxjerr SMS-të private që shkëmbente gjatë mbledhjes, nervozohet Tabaku: I bëj thirrje kryetares së Kuvendit dhe Gardës të marrin masa (DEBATI)


Është shoqëruar me debate mbledhja e sotme në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku po dëshmon kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Ky i fundit në një moment ka nxjerrë një foto të printuar të mesazheve që po shkëmbente në celular gjatë mbledhjes kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku.

Kjo gjë e nervozoi shumë Tabakun, e cila i bëri thirrje kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla që t’i kërkojë Gardës së Republikës të marrë menjëherë masa për kamerat në Komision, që po filmojnë celularët e deputetëve. Por Veliaj tha se bisedat janë filmuar nga mediet.

Pjesë nga debati:

Belind Këlliçi: Pra ju para këtij Komisioni sot po thoni se gjatë gjithë drejtimit tuaj të bashkisë së Tiranës dhe gjatë gjithë këtyre viteve që keni qenë dhe jeni kryetar i bashkisë Tiranë, nuk keni patur asnjëherë asnjë kontakt me zonjën Stela Gugallja, Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin? Pra nuk i njihni fare, nuk keni asnjë kontakt me ta dhe nuk keni patur?

Veliaj: Të gjitha aktivitetet e mia publike, unë bëj dasma, unë bëj funerale, vetëm synetlliqe nuk bëj. Pra takoj qindra njerëz. Më pyetët si i njoha. I njoha kur pashë Gert Bogdanin në Zimbabve me ta dhe mu fiksua ky timi. Atë tipin pastaj nuk e kam takuar më. Më pyetët dhe unë po ju them. Më fal më fal.. s’e unë telefonin tim s’e kam prekur, po ju paskeni lënë nam ndërkohë që ne kemi qenë në seancë. Ju çojnë suflerët pyetje se si të më pengoni. Paskan dalë në të gjitha portalet. Po mirë mo a keni cipë? Se kjo ka edhe një lloj dinjiteti.

Tabaku: S’e kuptova, nuk arrij të të kuptoj

Veliaj: Jo jo nuk është për Belindin.

Tabaku: S’e kuptova çfarë ka ndodhur. Keni marrë kamerat e Kuvendit që po xhirojnë celularët e deputetëve?! Këtë s’arrij ta kuptoj.

Veliaj: Jo moj jo, kamerat i keni live ju.

Ajo që ju bëni… O Belind nuk është problem për ty vëlla se “Shtëpia e Lirisë” është në rregull..

Tabaku: Keni marrë kamerat e Kuvendit?! I bëj thirrje kryetares së Kuvendit menjëherë të marrë masa Garda për kamerat e Kuvendit të cilat lexojnë mesazhet e deputetëve në Kuvend. E turpshme! Të marrë masa menjëherë për kamerat. E turpshme! Është e turpshme!

Veliaj: Kjo që bëni është turp, që ulet zëdhënësja… Desada është shoqaja jonë. Mos qesh tani se keni lënë nam.

Tabaku: Keni marrë kamerat e Kuvendit që lexojnë mesazhet në celular.

Veliaj: Kamerat e gazetarëve. Po je gocë Samiu, s’të vjen turp që t’i çon Desada pyetjet?

Tabaku: I bëj thirrje kryetares së Kuvendit që të marrë masa. (Përsërit thirrjen)

Veliaj: I japin zemër shefes Jori me tifozëri. Uaa sa poshtë keni rënë ua ua! Shefe Jori të jap edhe unë zemër.