Vendosni fjalën kyçe....

A ka Ahmetaj miqësi me biznesmenët e Inceneratorëve? Rama: Nuk është në kompetencat e mia të di kush është mik me kë, apo kush fle me kë


Kryeministri Edi Rama është i thirrur sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Kryetarja e këtij komisioni Jorida Tabaku e pyeti Ramën nëse ka dijeni që ministri Arben Ahmetaj të ketë miqësi me pronarët e inceneratorëve.

Por Rama tha se nuk është në kompetencat e tij si kryeministër që të dije se kush ka miqësi me kë.

Pjesë nga diskutimi:

Jorida Tabaku: A është Alqi Bllako, i cili përmes babait të tij siç është faktuar në këtë Komision ka përfituar 150 mijë dollarë, një pronar përfitues për këtë koncesion?

Edi Rama: Unë e çmoj shumë disponibilitetin tuaj por përmesi jam i detyruar t’ju them që shkelët ligjin. Ju nuk keni faktuar asgjë në këtë komision, ju keni krijuar një opinion tuajin, të cilin mbajeni për vete dhe shkruajeni në raportin përfundimtar. Faktet këtu mendoj unë janë ato që kemi ardhur të ballafaqojmë bazuar në dokumenta, jo në opinione të krijuara mbi spekulime që secili ka të drejtën e vet t’i bëjë, për të dalë në konkluzione. Kështu që deri tani unë nuk shoh asnjë pyetje, për rolin që unë kam ardhur këtu.

Jorida Tabaku: Z.Rama, Z.kryeministër, z.dëshmitar, a është Arben Ahmetaj një mik i afërt me tre përfituesit e inceneratorëve, një nga pronarët përfitues sipas ligjit që ka miratuar sëfundmi Kuvendi?

Edi Rama: Unë e kuptoj që Big Brother në këtë periudhë ka krijuar një audiencë shumë të madhe dhe mbase mes nesh ka shumë që e kanë ndjekur, por se kush është miku i kujt, se kush fle me kë,  se kush zgjohet me kë, nuk janë të parashikuara në dispozitat Kushtetuese të rolit të kryeministrit të Shqipërisë.

Dhe meqë ju mu drejtuat si z.Rama, z.dëshmitar dhe z.kryeministër, unë po ju përgjigjem: Si kryeministër kjo është jashtë kompetencave të mia që unë të informohem dhe të studioj miqësitë e secilit prej jush me secilin prej jush.

Si dëshmitar unë përsëri mendoj se ju po shkelni ligjin, ndërsa si z.Rama po ju them që unë jam i painteresuar që kur kam qenë, se tani kanë dalë në modë pantallonat e shkurtra në kohë dimri, me pantallona të shkurtra, se çfarë bëjnë të tjerët dhe kam refuzuar të jap llogari se çfarë bëj vetë në jetën private.