Dënohet me 17 vite burg biznesmeni italian Francesco Becchetti, i cili akuzohet se përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash.
Gjykata e Tiranës ka dhënë sot vendimin për Becchetti-n i cili u akuzua për 4 vepra penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Gjithashtu e ëma e tij, Liliana Condomitti si dhe Eriona Troplini u dënuan secila me nga 8 vite burg për pastrim të produkteve të veprës penale.
Ndërsa bashkëpunëtori i Beçhetit, Mauro De Renzis u dënua me 16 vite. Ndërsa Stavri Peçi dhe Fetah Dervishi janë dënuar me nga 2 dhe 3 vite burg përkatësisht, i konvertuar në shërbim prove.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili po jep dëshminë e tij para Komisionit Hetimor për Inceneratorët, pas një mesazhi që i ka mbërritur.
Ai tha se biznesmeni italian Francesco Becchetti është dënuar me 17 vjet burg dhe po shpresonte që kjo të mos jetë një “Fake News”.
Kujtojmë se biznesmeni italian Francesco Becchetti vetëm pak kohë më parë, fitoi gjyqin në Strasburg që e detyron Shqipërinë t’i paguajë atij 110 milion euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Televizioni në pronësi të tij “Agon Channel” u mbyll nga qeveria shqiptare në vitin 2015, pas akuzave të ngritura ndaj tij për mashtrim./Hashtag.al