Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë po dëshmon në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku po u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të opozitës dhe maxhorancës lidhur me aferën e inceneratorëve.
Kjo mbledhje është shoqëruar me debate të forta, kryesisht mes Ramës dhe kryetares së këtij Komisioni Jorida Tabakut.
Por cilat kanë qenë deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë dëshmisë së tij në këtë Komision. Rama ka pranuar se nga buxheti i shtetit janë paguar 55.3 milionë euro për koncesionarin e Fierit dhe Elbasanit, ndërsa për Tiranën zero lekë.
Rama: Jam këtu për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës
Rama u ka kërkuar anëtarëve të komisionit të inceneratorëve që të respektojnë ligjin e të mos bëjnë akuza penale. Kreu i qeverisë tha se e ka mbështetur personalisht këtë komision që të zbardhet e vërteta.
“Komision nuk mund të ngrejë akuza penale. Anëtarët e komisionit nuk lejohen të fyejnë dëshmitarët. Këtë e keni bërë në mënyrë të përsëritur, madje këtu është thënë akuza e grupit të strukturuar kriminal. Ky komision është shumë i rëndësishëm, kam dhënë mbështetje të plotë e jam për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës.” – tha Rama.
“Nuk më intereson kush është mik me kë, e kush fle me kë”
Tabaku e pyeti Ramën nëse zv.kryeministri Arben Ahmetaj është një mik i afërt me tre përfituesit e inceneratorëve. Po ashtu pyeti edhe për lidhjen e Damian Gjiknurit dhe Alqi Bllakos me aferën e inceneratorëve.
Por Rama u irritua dhe iu përgjigj Tabakut: “Unë e kuptoj që Big Brother në këtë periudhë ka krijuar një audiencë shumë të madhe dhe mbase mes nesh ka shumë që e kanë ndjekur, por se kush është miku i kujt, se kush fle me kë, se kush zgjohet me kë, nuk janë të parashikuara në dispozitat Kushtetuese të rolit të kryeministrit të Shqipërisë.
Dhe meqë ju mu drejtuat si z.Rama, z.dëshmitar dhe z.kryeministër, unë po ju përgjigjem: Si kryeministër kjo është jashtë kompetencave të mia që unë të informohem dhe të studioj miqësitë e secilit prej jush me secilin prej jush.
Si dëshmitar unë përsëri mendoj se ju po shkelni ligjin, ndërsa si z.Rama po ju them që unë jam i painteresuar që kur kam qenë, se tani kanë dalë në modë pantallonat e shkurtra në kohë dimri, me pantallona të shkurtra, se çfarë bëjnë të tjerët dhe kam refuzuar të jap llogari se çfarë bëj vetë në jetën private.”
“BE nuk ishte kundër inceneratorëve”
Gjatë diskutimeve në Komision, Rama tha se BE nuk është shprehur kundër impiantit të përpunimit të mbetjeve, por ka shprehur shqetësimin për menaxhimin e tyre, ku flet për nivel të ulët riciklimi dhe mbrojtjen mjedisit, por jo kundër impianteve.
“Jo BE nuk është kundër inceneratorëve.”– tha Rama. Ai vazhdoi: “Është e vërtetë që ka shprehur shqetësim, pasi nuk është zgjedhja më e preferuar. Çfarë është zgjedhja më e preferuar? BE flet për nivelin e ulët të riciklimit, ne nuk kemi ndërtuar inceneratorë, ne kemi ndërtuar impiante të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë që incenerojnë mbetjet, por që nuk është kjo parësorja. Inceneratorët janë impiante të viteve 70-80 që e digjni komplet produktin dhe nuk prodhonin energji, sa për shpjegim teknik, është e vërtetë që nuk është zgjedhje preferuar e BE pasi ai sot riciklon masivish dhe ndan burim, edhe në vendet me standardet më të larta mjedisore, impiantet e prodhimit të energjisë përmes mbetjeve janë aty dhe ndërtohen ende.”
17 procedura të ndryshme brenda një ditë?
Rama u pyet në Komision për vendimin e Qeverisë më 17 dhjetor 2014. Tabaku i tha atij se brenda një dite janë deklaruar 17 procedura të ndryshme, akte, jo vendime. Por ai iu përgjigj se Tabaku nuk e di se si funksionon makineria shtetërore, ndërsa është shprehur se qeveria nuk mban përgjegjësi për veprime individuale.
“T’jua shpjegoj se çfarë bën Kryeministri. Të udhëheqësh do të thotë që udhëheqës në drejtim të çfarë dhe pse? Pastaj se si do ta bëjmë këtë gjë është në makinë e tërë shtetërore me të gjitha hallkat e saj. Kjo makinë shtetërore ka bërë detyrën e vet. Kjo është ajo që mund të them dhe s’kam asnjë arsye në botë të ndryshoj përgjigjet e të gjithë paraardhësve dëshmitarë. Unë kam ardhur të dëshmoj si Kryeministri i Shqipërisë.”- tha Rama.
Rama: Krenar për inceneratorët
Kryetarja e Komisionit Hetimor e pyeti kryeministrin nëse është në dijeni se inceneratorët janë ndërtuar me buxhetin e shtetit.
Por Rama iu përgjigj se është krenar se çfarë është bërë deri më tani me pastrimin e vendit. Ndërsa referuar ish-ministrit Lefter Koka, tha se ai akuzohet për korrupsion personal.
“Ish-ministri nuk është i akuzuar për ndonjë vendim qeverie. As për ndonjë mbledhje qeverie, as për ndonjë aferë të madhe qeverie. Është nën akuzë për korrupsion që ai individualisht ka kryer me palën tjetër. Ndaj kur fola më parë e kishte një lidhje përgjigja ime. Lidhje midis mbledhjeve, vendimeve, funksionimi të të gjithë zinxhirit me akuzën e ish-ministrit është abuzive. Nuk ka lidhje fare. Është një marrëdhënie që dyshohet dhe mbi dyshimin është ngritur akuza për korrupsion.
Por kjo nuk do të thotë që plehrat nuk janë pastruar,impiantet nuk janë ndërtuar, apo revolucioni për të transferuar Shqipërinë nga një vend plot me plehra në një vend të pastruar nuk ka shkuar përpara. Në Elbasan dhe në Fier janë ndërtuar 2 vepra për të cilat unë jam krenar.”- tha Rama.
Ai vazhdoi: “Shqipëria ishte një gropë plehrash në vitin 2013. Vetëm gjysma e popullsisë mbulohet me shërbimin e grumbullumit të mbëtjeve. Gjysma tjetër rrisnin fëmijëve mes plehrave.”
Rama për shkarkimin e Shkëlqim Canit
Një nga pyetjet që iu drejtua kryeministrit në këtë mbledhje ishte: A u shkarkoi ministri i Financave Shkëlqim Çani sepse nuk pranoi inceneratorët?”
Rama u përgjigj prerë që “Jo” dhe më pas nisi të tregonte një histori mbi qeverisjen e demokratëve.
“Grupi i strukturuar ka larguar profesorin e nderuar Shkëlqim Çani? Kjo i është thënë shqiptarëve prej muajsh. Ndaj shqiptarët duhet të marrin vesh se çfarë ndodh dhe si funksionon. Ndodh që ministri i financave kundërshton, vendimi rregullohet. Normal sepse nuk jemi organizatë e strukturuar. Këto ka raste si ai i Ridvan Bodes kur i thuhet zotëri na duhet një dritë jeshile që qeveria të aprovojë një koncesion 23 milionë euro investim. Bode i thotë që shikojeni mirë këtë gjë se ne kemi për të njëjtën gjë oferta të pakërkuara me 5-8 milionë euro. Qeveria nuk e pyet fare dhe i fut një të miratuar vendimin. Nuk funksionon kështu me qeverinë që drejtoj unë. I nderuari profesori Çani nuk është larguar për këtë arsye.”– tha Rama.
Rama tregon sa miliona euro janë paguar për Elbasanin e Fierin
Rama ka deklaruar se nga buxheti i shtetit janë paguar 55.3 milionë euro për koncesionarin e Fierit dhe Elbasanit, ndërsa ka bërë ironi me opozitën duke thënë se nuk e kupton aritmetikën se nga i nxjerrin ata 430 milionë euro dhe mbi çfarë dokumenti bazohen kur bëjnë akuza të tilla.
Rama theksoi se janë paguar 30.6 milionë euro për Elbasanin, 24.7 për Fierin, ndërsa për Tiranën zero lekë.
“Eurot e paguara nga bushti i shtetit janë fantazi e juaja, buxheti ka paguar 30.6 mln euro per Elbasanin 24.7 per Fierin, unë nuk jam i mirë në aritmetiket pro nuk ua kam besën tuaj dhe bëjnë tuja dhe bëjnë 55.3 mln euro. Se ku i gjeni 430 do na i tregoni rrugës. Ma jepni një dokument ku e thotë?”- tha Rama pas pyetjeve në Komisionin Hetimor.
Rama shtoi se deri në vitin 2047 shkojnë 360 milionë euro që janë para që paguhen për shërbimin, i cili sipas tij është ekselent.
Zoto e Gugallja paguhen edhe pse janë në hetim
Kryeministri Edi Rama ka pranuar se shteti vijon të paguajë kompanitë e inceneratorëveedhe pse drejtuesit e tyre janë në hetim. Ai e shpjegoi këtë duke thënë se nuk ka një vendim të formës së prerë për ta dhe se kontrata vazhdon.
“Jeni në dijeni se po paguhen ende kur janë duke u gjykuar?”- ishte pyetja që iu drejtua nga Tabaku.
Rama u përgjigj: “Po jam në dijeni, ata nuk janë duke u gjykuar por duke u hetuar. Për sa kohë nuk kemi vendim nga organet përkatëse, vazhdon kontrata është e thjeshtë.”/Hashtag.al