Ish-ministri Damian Gjiknuri ka reaguar pas denoncimit të deputetes demokrate Oriola Pampuri, lidhur me udhëtimet e tij disa herë jashtë vendit me biznesmenët e inceneratorëve Mirel Mërtirin e Klodian Zoton.
Në një postim në rrjete sociale, Gjiknuri kërcënon Pampurin se do të ngrejë një padi në gjykatë ndaj saj në lidhje me këtë akuzë.
“Përballja me këto shpifje dhe gënjeshtra do të jetë në gjykatë, pasi ‘7x 7’ qenka kthyer në epidemi në PD. Si në rastin e Lulit dhe Gaztorit të tij, i kam kërkuar avokatit tim që të përgatisë padinë për shpifje ndaj znj. Pampuri.”- shkruan Gjiknuri.
Mes të tjerash Gjiknuri shprehet se udhëtimet e pretenduara në vitet 2014 – 2018 janë vizita pune zyrtare dhe në përputhje me praktikën, e cila gjendet lehtësisht në institucionin që ai drejtonte. Ndërsa shton se datat e dy udhëtimeve të tjera të tij në vitin 2019 janë pa asnjë lidhje me Mërtirin e Zoton.
Në një deklaratë për shtyp më herët nga selia blu, deputetja Pampuri tha se sipas dokumenteve të udhëtimit, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallja nuk janë të panjohur për qeveritarët e PS-së.
Ajo theksoi se Damian Gjiknuri ka udhëtuar me Mirel Mërtirin e Klodian Zoton gjashtë herë që nga 27 janari 2012 deri më 23 korrik 2019, ndërsa Arben Ahmetaj ka udhëtuar me dyshen Mërtiri-Zoto 12 herë që nga 27 janari 2012 deri më 16 tetor 2019.
REAGIMI I PLOTË I GJIKNURIT:
Shpifja prej kohësh është një institucion në PD. Kjo nuk përbën çudi! Çudi është fakti se si institucioni me logo të reja, e avaze të vjetra, nuk heq dorë nga shpifja.
Me sa duket, çmontimi dje në Komisionin Hetimor i shpifjeve të fabrikuara nga SHQUP-i, bëri që Luli të nxjerrë sot folësen e radhës për të fabrikuar gënjeshtra.
Nga 15 udhëtime që thoshte Gazi i Lulit në tetor, sot dëgjuam nga suflerja e Lulit se qenkan 6. E vërteta nuk mund të fshihet, as nga Lulzim Basha dhe as nga gaztorët e oborrit të tij, që mundohen të shmangin me gënjeshtra dhe shpifje tipike humbësish që dinë veçse “ta bëjmë ditën natë”.
E vërteta është krejt ndryshe dhe këto provohen lehtësisht.
Siç e sqarova edhe dje në Komision, udhëtimet e pretenduara në vitet 2014 – 2018 janë vizita pune zyrtare dhe në përputhje me praktikën, e cila gjendet lehtësisht në institucionin që drejtoja. Ndërsa datat e dy udhëtimeve të mia më 2019 janë pa asnjë lidhje me personat në fjalë, pasi janë udhëtime familjare. Transporti që kam zgjedhur është publik dhe me linja komerciale, duke bërë që çdo lidhje rastësore është thjesht ushqim për shpifjen.
Përballja me këto shpifje dhe gënjeshtra do të jetë në gjykatë, pasi “7x 7” qenka kthyer në epidemi në PD. Si në rastin e Lulit dhe Gaztorit të tij, i kam kërkuar avokatit tim që të përgatisë padinë për shpifje ndaj znj. Pampuri.
Keqardhje për kolegët e opozitës, që janë kthyer në amplifikatorë të gënjeshtrave të Lulit dhe e turpshme për Lulin që përdor gratë e partisë për të shpëtuar karrigen e tij.
Nuk ke shpëtim, pasi ia arrite që PD ta katandisësh si “kokoshi një thelë”.