Vendosni fjalën kyçe....

Rama i kthehet Tabakut në Komisionin për Inceneratorët: Po më pyesni sikur jam thirrur këtu për të bërë thashetheme


Kryeministri Edi Rama është i thirrur sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Kryetarja e këtij komisioni Jorida Tabaku i bëri pyetje atij lidhur me zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, ish-ministrin e Energjetikës Damian Gjiknuri për lidhjet e tyre me biznesmenët e inceneratorëve.

Por Rama e akuzoi Tabakun se po i bënte pyetje sikur e kishin thirrur në Komision për t’u marrë me thashetheme.

“Më keni bërë pyetje sikur jemi duke u marrë me thashetheme: A është filani pronar, a di gjë për filanin se ku ka vajtur me filanin…Prandaj ju thashë që në fillim, doni të përqendroheni tek çështja, jo tek afera.

Se afera është në kokën tuaj, mund ta përsërisni kudo jo këtu. Afera është opinion. Kur të mbaroni punë, uluni dhe shkruani. Thirrjen për përqëndrim e kam unë. Përqëndrohuni te çështja. Jam këtu për dëshmitar, s’ka nevojë të më drejtoheni me tre emra, më krijoni një trefishim të përgjigjes”– u shpreh Rama.

Ai i kërkoi Tabakut që mos ta ndërpresë në kohën kur flet ai.

Pjesë nga diskutimi:

Tabaku: A është Alqi Bllako, i cili përmes babait të tij siç është faktuar në këtë Komision ka përfituar 150 mijë dollarë, një pronar përfitues për këtë koncesion?

Rama: Unë e çmoj shumë disponibilitetin tuaj por përmesi jam i detyruar t’ju them që shkelët ligjin. Ju nuk keni faktuar asgjë në këtë komision, ju keni krijuar një opinion tuajin, të cilin mbajeni për vete dhe shkruajeni në raportin përfundimtar. Faktet këtu mendoj unë janë ato që kemi ardhur të ballafaqojmë bazuar në dokumenta, jo në opinione të krijuara mbi spekulime që secili ka të drejtën e vet t’i bëjë, për të dalë në konkluzione. Kështu që deri tani unë nuk shoh asnjë pyetje, për rolin që unë kam ardhur këtu.

Tabaku: Z.Rama, Z.kryeministër, z.dëshmitar, a është Arben Ahmetaj një mik i afërt me tre përfituesit e inceneratorëve, një nga pronarët përfitues sipas ligjit që ka miratuar sëfundmi Kuvendi?

Rama: Unë e kuptoj që Big Brother në këtë periudhë ka krijuar një audiencë shumë të madhe dhe mbase mes nesh ka shumë që e kanë ndjekur, por se kush është miku i kujt, se kush fle me kë,  se kush zgjohet me kë, nuk janë të parashikuara në dispozitat Kushtetuese të rolit të kryeministrit të Shqipërisë.

Dhe meqë ju mu drejtuat si z.Rama, z.dëshmitar dhe z.kryeministër, unë po ju përgjigjem: Si kryeministër kjo është jashtë kompetencave të mia që unë të informohem dhe të studioj miqësitë e secilit prej jush me secilin prej jush.

Si dëshmitar unë përsëri mendoj se ju po shkelni ligjin, ndërsa si z.Rama po ju them që unë jam i painteresuar që kur kam qenë, se tani kanë dalë në modë pantallonat e shkurtra në kohë dimri, me pantallona të shkurtra, se çfarë bëjnë të tjerët dhe kam refuzuar të jap llogari se çfarë bëj vetë në jetën private.

Tabaku: Unë e di që me batuta mund të jeni shumë mirë, unë kam lidhje me fakte e shifra, do ju kërkoja të vijojmë më pyetjet duke evituar cdo koment. Të fokusohemi te çështja të përqëndrojmë vëmendjen këtu, çdo batutë jashtë këtij debati. 

Zoti dëshmitar, a është Damian Gjiknuri i cili në këtë Komision deklaroi që ka njohje dhe ka udhëtuar me këto persona që në vitin 2001, një nga pronarët përfitues sipas ligjit që qeveria e Shqipërisë ka miratuar së fundmi?

Rama: Zonja kryetare e Komisionit, Znj.Tabaku, edhe njëherë. Ju thashë në fillim që unë i di mirë detyrimet e mia si dëshmitar, por i di dhe të tuat. Ju nuk mund të komentoni përgjigjet e mia as si batuta, as si propagandë dhe unë jam shumë dakord me ju. Deri tani ju nuk jeni e përqendruar tek çështja. Me keni bërë pyetje sikur jemi duke u marrë me thashetheme: A është filani pronar, a di gjë për filanin se ku ka vajtur me filanin…Prandaj ju thashë që në fillim, doni të përqendroheni tek çështja, jo tek afera.

Se afera është në kokën tuaj, mund ta përsërisni kudo jo këtu. Afera është opinion. Kur të mbaroni punë, uluni dhe shkruani. Thirrjen për përqëndrim e kam unë. Përqëndrohuni te çështja. Jam këtu për dëshmitar, s’ka nevojë të më drejtoheni me tre emra, më krijoni një trefishim të përgjigjes. Nëse doni të eksportoni debatet që keni muaj që i bëni, bëjeni po jeni në shkelje të ligjit. Unë këtu jam nuk do lëviz.

Tabaku: Aferën e përmendët ju, nuk po flas për njerëz rruge, po flas për zv/ kryeministrin tuaj, ministrin tuaj, lideri mban përgjegjësi, përgjigjet edhe për ndikimin që kanë lidhjet miqësore në vendimmarrje me ndikim në buxhetin. Unë shifra e fakte di, të lexoj këto dokumente. A jeni në dijeni se me vendimin Shqipëria është në kundërshtim me direktivën e BE?

Rama: Fjalën aferë e përmendët ju, jo unë. Por mbase ju është bërë si shenjë pikësimi, e dyta ju thatë. Të bëjmë një marrëveshje fjale, unë dua vetëm kaq. Ju nuk jeni e përqendruar tek çështja. Më keni bërë pyetje sikur jemi mbledhur për thashetheme. Kur flas unë mos më ndërprisni. Nuk është një sallë e mbyllur. I mbetem kush rri me kë e shkon me kë, kjo është individuale, s’më keni pyetur për vendim qeverie. Ndjesitë e liderit t’i lemë për një bisedë tjetër, se nuk është këtu vendi. Jo, BE nuk është kundër! Kjo është përgjigjja ime.