Vendosni fjalën kyçe....

Rasti Subashi-Metani / Si po e kompromentojnë inceneratorët reformën në drejtësi


Dy janë figurat publike nën hetim për inceneratorët që kanë bërë paradë para prozhektorëve të mediave në dyert e SPAK-ut.

Armando Subashi dhe Alqi Bllako.

Në ndryshim nga personazhet e tjerë që kemi parë në komisionin hetimor të Tabakut, këta të dy i kemi parë dhe te dera e SPAK-ut.

Alqi Bllako la të kuptohej në “Komisionin Tabaku” se ishte në një situatë delikate dhe prag arrestimi dhe refuzoi të përgjigjej, ai gati sa nuk u tha “ore mos më bëni kot zbor para mediave se jam për burg”.

Ndërsa rasti i Armando Subashit ishte diçka tjetër, Subashi shqyrtoi çdo pyetje të komisionit, por sidomos njëra nga pyetjet paraqet rëndësi të veçantë.

Kur u pyet mbi mënyrën e kompesimit të tokave për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, Subashi bëri të ditur se ky veprim ishte kryer vetëm pasi i kishte ardhur në formë urdhri shkresor nga një organ madhor si Këshilli i Ministrave.

Në vitin 2018 Hashtag.al publikoi një hulumtim të detajuar për mënyrën si ishte falsifikuar statusi i pronës mbi të cilën po ndërtohej inceneratori i Fierit (Lexoje këtu). Njësoj siç deklaroi Subashi në komision dhe hulumtimi ynë i çonte gjurmët drejt gardhit të Kryeministrisë.

Kryeministri presupozohet një figurë e fortë politike, por që mund të jetë injorant në çështje të caktuara teknike. Ndaj ai cakton një mëkëmbës garantues që është Sekretari i Përgjithshëm, në rastin tonë zoti Ëngjëll Agaçi.

Ky i fundit ka në dispozicion një strukturë tepër të rëndësishme e cila quhet “Departamenti i Legjislacionit Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit”.

Në vitin 2016 kur u përgatit VKM-ja për shpronësimin në Fier, drejtor i këtij departamenti në Kryeministri ishte zoti Artur Metani.

Artur Metani është direkt zyrtari përgjegjës në Kryeministri që duhej me doemos të bënte verifikimet para se ta çonte VKM-në për miratim.

Përveçse vëllai biologjik i ish-ministres Eglantina Gjermeni, zoti Metani ishte dhe njeriu më i besuar në Kryeministri dhe mik për kokë i Ëngjëll Agaçit.

Sot që kjo VKM është objekt hetimi nga SPAK-u, sot që Armando Subashi dhe Alqi Bllako parakalojnë me ceremoni te dera e SPAK-ut, sot Artur Metani mban një funksion madhor në drejtësi, sepse ai është zgjedhur në vitin 2020 me mbështetjen direkte të Ëngjëll Agaçit si Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Pra zoti Metani mban një post nëpërmjet të cilit mund të hetojë dhe të ndërmarrë veprime ndaj prokurorëve të SPAK-ut. I ka nën tutelë.

Ky detaj, sjell dy elementë:

Ndryshe nga sa raportojnë mediat me bujë duke filmuar Subashin te gardhi i SPAK-ut, hetimi që përfshin dhe Subashin është shumë herë më i komplikuar sa duket, pasi në rrjetë mund të bjerë Kryeinspektori i Drejtësisë dora vetë. Është terren delikat.

Elementi i dytë është fakti se nëse hetimi do të avancojë profesionalisht duke mos bërë paradë mediatike me Subashin, do jetë patjetër e nevojshme që të hetohet dhe aktiviteti i Sekretariatit të Kryeministrisë mbi këtë çështje dhe sidomos aktiviteti i zotit Metani, i cili në kontekstin e postit që mban aktualisht, mund të kthehet në shembullin ku inceneratorët përpijnë dhe kompromentojnë dhe vet Reformën në Drejtësi. /Hashtag.al