Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim bisedë me Ramën e Xhaçkën për luftën në Ukrainë: Të vëmë Rusinë përpara përgjegjësisë për agresionin e saj


Ndërkohë që mes Ukrainës dhe Rusisë ka nisur lufta, ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka biseduar me kryeministrin e vendit tonë Edi Rama dhe Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.

Në një njoftim, Ambasada Amerikane thotë se Shqipëria bashkohet për të dënuar veprimet e Rusisë.

“Ambasadorja Yuri Kim bisedoi sot me kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Jashtme Olta Xhaçka mbi pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës nga Rusia. SHBA dhe Shqipëria bashkohen me të tjerë në mbarë botën për të dënuar veprimet e Rusisë në kuptimin më të fortë të mundshëm.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të vazhdojnë të koordinohen ngushtë në NATO, Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe kudo për të vënë Rusinë përpara përgjegjësisë për agresionin e saj flagrant kundër Ukrainës dhe paqes e sigurisë globale. #StandWithUkraine.”- shkruan ambasada amerikane në llogarinë e saj zyrtare në “Twitter”.