Vendosni fjalën kyçe....

Berisha e fton Manjën në Dibër për të debatuar për Skavicën, ai refuzon: Ti xhelozon se ishte ëndrra jote në sirtar


Është shoqëruar me debate seanca e sotme plenare në Kuvend mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Ata u futën në diskutime për inceneratorët dhe debati kaloi për projektin për ngritjen e hidrocentralit të Skavicës.

Berisha e ftoi Manjën të merrte pjesë në një debat me të përpara qytetarëve dibranë, ftesë që ky i fundit e refuzoi.

Pjesë nga debati:

Manja: Zoti Berisha është fakt sot që Shqipëria është më e pastër. Dhe koha kur qytetet tona pastroheshin me punë vullnetare ka ikur edhe pse unë e kam të qartë se ju dëshironi të ktheheni tek koha e parë kur qytetet tona pastroheshin me punë vullnetare, por që të jetë më e pastër duhet të paguash. E dyta. Komisioni Hetimor Parlamentar dje ka përfunduar veprimtarinë e vet. Shumë shpejt do të kemi një raport të atij Komisioni, me gjetjet e Komisionit dhe kur të jetë radha për të diskutuar këtu në Kuvend raportin përfundimtar për çështjen e impiantit të trajtimit të mbetjeve, sigurisht që do të kemi edhe një debat real, me shifra reale, edhe pse u pa qartë në atë Komision se 430 milionë Euro, janë vetëm në kokën e kryetares së Komisionit dhe kryetarit të PD-së.

Sepse unë e thashë pak edhe në fjalën time, nëse ju pretendoni të vini në pushtet në vitin 2050, unë ju komplimentoj që po e luftoni korrupsionin në vitin 2022 për 2050-ën. Por shifrat janë ato që janë. Nga buxheti i shtetit, shifrat për inceneratorët, janë paguar 55.3 milionë Euro me TVSH. Sigurisht që Tirana paguan tarifën e shërbimit. Tani lërini shqiptarët, se e kanë parë në Komisionin Hetimor, do të na dëgjojnë edhe ne në diskutimin e raportit përfundimtar, por të lëmë drejtësinë të flasë për të gjitha këto që ju flisni këtu.

Berisha: Unë mendoj se ministri Manja nuk ka të drejtë morale absolutisht të flasë për pastrim e stërpastrim, në një kohë kur ai ka dhënë firmën dhe votën e tij për mbytjen e Peshkopisë.

Ulsi Manja do mbahet mend në histori, si njeriu që tentoi se s’do ta arrijë kurrë ju garantoj, të bëjë gjëmën më të madhe, ti bëjë Dibrës atë që s’ja bëri dot asnjë pushtues. O Ulsi, të kërkoj të vish në debat publik bashkë me mua, të dalim përpara dibranëve të dy dhe të shpjegojmë qëndrimet rreth Skavicës. Merr po deshe kë të duash ti. Se më citoni ju mua. Po kam thënë që Skavica varianti i vogël duhet të ndërtohet, por variant që nuk përmbyt asnjë shtëpi, kurse ju e çoni përmbytjen gjer në anën tjetër, në Dibër të Madhe. Si mund të përfytyrosh një akt të tillë ti ndaj Dibrës?! Çdo gjë mund të quhesh por vetëm dibran jo.

Kaq, nuk ka replikë mbi replikë.

Nikolla: Nuk ka replikë mbi replikë Zoti Manja. Nëse do merre fjalën si ministër.

Manja: Unë e kuptoj që nga Kalaja e Dodës dhe nga Maqellara t’u flasësh dibranëve për Skavicën…

Berisha: Po kryeni shkelje të rregullores

Nikolla: E merr fjalën si ministër.

Manja: As Maqellara, as Skavica dhe as Kalaja e Dodës në fakt nuk kanë probleme me Skavicën. Por gjithsesi zoti Berisha dibranët të njohin edhe ty edhe mua. Unë jam dibran dhe e kam për nder që jam nga Dibra dhe unë në Dibër vete çdo ditë e çdo javë sepse ai është vendi im. Nuk e di sa herë vete ti në vendlindjen tënde, por unë vete përditë.

Dhe sa për Skavicën, ta thashë të enjten që kaloi se ka qenë ëndrra jote në sirtar, mjafton të marrësh audion që ke thënë për Skavicën në 2005-ën dhe do ta bëj publike, por unë nuk e di, ti ndoshta xhelozohesh sepse Skavica tashmë është jo vetëm projekt i qeverisë shqoptare, por projekt me mbështetjen e qeverisë amerikane. Dhe unë e di që ti kur bashkohet amerika mbrapa ti ke probleme.

Sigurisht që unë me ty në debate për Skavicën nuk vij. Nuk vij sepse jam përditë atje duke iu shpjeguar qytetarëve të mi edhe të ardhmen e Dibrës, edhe Skavicën, edhe Rrugën e Arbrit edhe potencialet që sjell Rruga e Arbrit.

Dhe ata nuk i presin prej teje dhe të jesh i bindur që nuk i presin prej teje por prej kësaj qeverie dhe të zgjedhurve të vet që i kanë zgjedhur me votë të lirë.

Nikolla: Po z.Berisha, replikë meqë kishte fjalën z.Manja… S’ka më tashi.

Berisha: Zotëri, në ta mban urdhëro nesër në Fushë Aliaj që ti ke planifikuar ta fusësh nën ujë dhe shpjegoju banorëve se si ka mundësi ti të mbështesësh një vendim të tillë. Të vish në Fushë Aliaj nesër, të shkojmë bashkë dhe unë ju garantoj ju, do kesh trajtim të mirësjellte, por shpjegoiji banorëve se si ke vendosur tu varrosësh shtëpitë.

Çfarë të shtyn ty, çfarë dibrani je ti më thuaj mua?!  Sa i përket Rrugës së Arbrit mund të them me kënaqësi se ai është projekt i Sali Berishës. Dhe ju keni 11 vite që s’po mbaroni dot 27 kilometra, se 32 kilometra u përfunduan nga qeveria e mëparshme.

Dhe këtu… dale dale se dardha e ka bishtin mbrapa z.Ulsi. Dalja jote këtu për inceneratorët tregon se gjenia juaj po mbytet, po mbytet dhe faktikisht jeni të pashpresë. Qeveria juaj, ju garantoj unë, në revolucionin demokratik paqësor, do të digjet simbolikisht si fjala në flakë e inceneratorëve virtualë që ju ngritët. Se s’keni ngritur asgjë, veçcse keni marrë paratë.

Ndaj edhe një herë bëj thirrje ose hajde nesër në Fushë Aliaj ose deklaro këtu se heq dorë nga mbështetja për Skavicën.