Nga Elvi Fundo
Jorida Tabaku në farsën e saj të Komisionit Hetimor për të mbyllur njëherë e mirë aferën e inceneratorëve, dje nuk dinte t’i shpjegonte kryeministrit Ed Rama se çfarë ishin 45 milionë eurot e dherave si të ardhura për kompaninë e inceneratorit të Tiranës, nga dilnin këto para dhe kush do i paguante.
Duke qenë se Jorida nuk e ka haberin, po fare fare, po ja shpjegojmë më poshtë asaj që ta ketë për t’ja thënë Edi Ramës në parlament.
Bëhet fjalë për dy zëra që janë dherat, nga gropat që hapin firmat e ndërtimit për pallate, vila, etj si dhe mbetje inertesh që vijnë nga prishjet e objekteve apo ndërhyrjet infrastrukturore.
Sipas kontratës ka një çmim për përpunimin e mbetjeve 29 euro për ton, sepse diferenca paguhet nga këto shërbime plus energjia që do përfitohet nga djegia e mbetjeve, si e ardhur për kompaninë.
Ndërsa tarifa për depozitimin e dherave është 3.2 euro për ton dhe inertet 8.2 euro për ton. Pa i ngatëruar aspak dherat me mbetjet e inerteve që ka një kantier ndërtimi. Inertet janë përzierje dherash me copra betoni dhe mbetje të tjera kantieri, këto mbetje kanë çmim tjeter, pra atë 8.2 euro/ton. Këtu përfshihen edhe inertet e enteve shtetërore, që paguajnë tarifat e tyre.
Le të sjellim një shembull:
Një biznes ndërtimi kur pajiset me lejen e ndërtimit i duhet dhe dokumenti i Klodian Zotos & co se ku do shkojnë dherat. Çmimi sipas kryeministrit dhe kryebashkiakut Veliaj është i privatit dhe shtetit nuk ndërhyn.
Në fakt kur ke një koncesion monopol vendosen tarifa të përcaktuara qartë pasi në finale kostot i paguan taksapaguesi, që është qytetari.
Sot ndërtuesi për gërmimin me eskavator, ngarkimin e një automjeti 20 m3 dhe transportin deri në 15 km distancë, paguan deri 55 mijë lekë/ m3 . Landfilli vetëm për depozitim dherash pa bërë asnjë veprim thjeshtë e peshon dhe e drejton ku duhet ta shkarkojnë, paguhet 75 mijë/m3 ( 1 m3 është i barabartë me 1.5 ton).
Së pari, kompania IE BV SPV ka monopolin e kësaj fushe, pasi dherat nuk mund ti shpiesh në asnjë vend tjeter, që çmimet të kishin diferencë.
Së dyti ka të drejtën të vendosë çmimin pa i dhënë llogari askujt, përkundrazi ka pasur gjithë mbështetjen e shtetit, e pamë live edhe Veliajn edhe Ramën kur hiqeshin mënjanë.
Pasi shkon dhe çon dhjetra kamiona e paguan miliona për depozitimin e dherave apo inerteve në rast se subjekti i ndërtimit do ketë nevojë për dhera duhet t’ja blejë landfillit, po me cmimin me të cilin e ka paguar ose me diferencë plus sepse kosto është edhe transporti për rikthimin në objekt.
Vetëm për një gropë 35 mijë/ton janë paguar 130 milionë lekë.
Pra për një gropë ndërtim për pallat do paguash nga 20 mijë deri edhe 200 mijë euro.
Të gjitha këto kosto ndërtuesi i fut në çmimin e shitjes dhe janë afërsisht 15 euro për m2 rritje çmimi për apartamente vetëm nga këto kosto të shtuara.
Pra për një apartament 80 m2, blerësi paguan 1200 euro më shumë, dhe kjo vlerë lekësh ka shkuar në xhepat e kompanisë së landfillit në Sharrë, sepse incenerator nuk ka. këto i paguan qytetari.
Nga dita e fillimit të impiantit, pra nënshkrimit të kontratës deri më sot bashkia Tiranë ka dhënë leje për 3 milionë m2 sipërfaqe ndërtimi. Llogaria është mjaft e thjeshtë.
Tre milionë m2 sipërfaqe ndërtimi shumëzuar me 15 euro kosto shtesë çmimi, që vjen nga inceneratori I Tiranës, janë 45 milionë euro në këto 4 vite. Këto paguhen nga qytetarët dhe shkojnë tek Klodian Zoto & Co.
Diskutimi duhen të mos hidhen në lumenj e male, nuk ka diskutim por diskutim dhe akuzë ngrihet për pjesën e tarifave të vendosua kur kompania nuk bën asgjë. Firmat i cojnë vetë dherat në Sharrë, në kodrat e natyrës, dhe kostot janë sipas vetë studimit të firmës 0.60 cent, ndërsa merret 10-fishi nga kompania e cila ka monopolin e dhënë nga qeveria shqiptare për 30 vite.
Justifikimi kemi çmimin më të ulet për qytetarët 29 euro për ton mbetjesh, por edhe çmimin e dherave dhe inerteve e paguajnë sërish qytetarët dhe kostoja shkon të paktën 44 euro, jo 29 euro siç pretendohet zyrtarisht, pasi janë edhe 15 euro të tjera kosto për dherat dhe inertetet që ne finale ndërtuesit ja faturojnë qytetarëve.
Ku janë 45 milionë eurot e dherave që Jorida nuk dinte tja sqaronte Edi Ramës. Ato janë qindra milionë në 30 vite. Llogaria e parë mjaft e thjeshte kosto shtesë për m2 shumëzuar me sipërfaqën totale të lejeve janë 45 milionë eurot. Në fakt ato janë edhe më shumë.
Kompania e inceneratorëve në Tiranë edhe pse s’ka incenerim është paguar nga Bashkia Tiranë dhe qeveria shqiptare 40 milionë dollarë në katër vite, por këtu nuk përfshihen të ardhurat e kompanisë nga dherat dhe inertet. Këtu janë 45 milionë eurot por edhe shumë më tepër.
Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia Tiranë dhe INSTAT:
Në vitin 2018 janë dhënë 388 leje ndërtimi.
Në vitin 2019 janë dhënë 373 leje ndërtimi.
Në vitin 2020 janë dhënë 318 leje ndërtimi dhe viti 2021 është 267 leje ndërtimi në 9 muaj.
Janë total 1346 leje ndërtimi në 4 vite.
Kostoja e një grope ndërtimi heqje dherash, mbetjesh inerte i kushton një kompanie ndërtimi nga 20 mijë deri në 250 mijë euro, varet nga sasia e dherave që do largohen. Sikur ti përllogarisim me vlerën minimale shuma që merr kompania e inceneratorit të Tiranës është dhjetra milionë euro.
Pra në vetëm 4 vite jo të plota më një çmim mesatar të ulet sepse ka gropa që shkojnë me kosto 5 fish se mesatarja e përllogaritur, rezulton që kompania e impiantit të Tiranës të ketë marrë afersisht 27 milionë euro nga gropat, pa të ardhurat nga entet shtetërore, nga tenderat qeveritare për ndërtime.
E në rast se do merrej një mesatare 30 vjeçare jo me këto ritme ndërtimesh, por me 6 milionë euro në vit, firma do të kishte 180 milionë euro të ardhura për 30 vite, vetëm nga pallatet, apo ndertimet e privatit, me investimet e shtetit, vlerat jane shumë më të larta shkojnë mbi 200 milionë euro.
Duke shtuar dhe të ardhurat nga Bashkitë, pra nga depozitimi i mbetjeve urbane etj, vlerat reale janë afërsisht 500 milionë euro që do qarkullohen nga kjo kompani, e cila në finale ka dorëzuar një studim fizibiliteti shumë larg vlerave të vërteta, me vetëm 430 milionë euro kosto total, ku fitimi pritet të jetë 120 milionë euro në 30 vite.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al