Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Transportit Publik: S’ka abone për marsin, jemi në kolaps ekonomik


Shoqata e Transportit Publik ka njoftuar se nuk do nxjerrë në shitje abone për muajin mars.

Në një reagim zyrtar ata kanë deklaruar se në mungesë të një ndihme nga ana e qeverisë pas kërkesave të bëra publike prej tyre, ata nuk e ofrojnë dot më këtë shërbim me abone.

Ata theksojnë se aktiviteti i tyre është në kolaps ndërsa shpresojnë ende në zgjidhjen e situatës.

“Në vijim të shkresave dërguar të gjitha institucioneve vendimmarrëse në lidhje me problematikat e transportit publik qytetas në nivel kombëtarë, që kanë të bëjnë me pamundësinë financiare të operimit normalisht, informojmë qytetarët se në mungesë të një ndihme reale nga Qeveria, janë të pamundur për të ofruar të gjitha shërbimet e këtij aktiviteti. Sa më sipër, për muajin Mars, nuk mund të ofrohet si shërbim me bileta të pajtimit mujor (ABONE), pasi aktiviteti që ne përfaqësojmë ndodhet në kolaps ekonomik. Mbetemi ende me shpresën e një zgjidhje të kësaj situate sipas premtimeve të bëra”, thuhet në njoftim.

Shoqata i shpalosi kërkesat e saj zyrtare drejtuar qeverisë pak ditë më parë duke kërkuar plotësimin e tyre në mënyrë që veprimtaria e shërbimit publik të mos ndërpritej.