Lituania është vendi i parë në Evropë që shpall gjendjen e jashtëzakonshme pas sulmit të nisur mëngjesin e sotëm nga Rusia në Ukrainë.
“Sot do të nënshkruaj një dekret për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, i cili do të miratohet nga Parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme.”- tha presidenti Gitanas Nauseda, citon Lrt.
Gjendja e jashtëzakonshme hyn në fuqi nga ora 13:00 e së enjtes deri më 10 mars. Dekreti lejon një përdorim më fleksibël të rezervës shtetërore dhe rrit mbrojtjen e kufirit shtetëror.
Ndër të tjera, autoritetet do të kenë të drejtën të ndalojnë dhe kontrollojnë automjetet, njerëzit dhe bagazhet në zonën kufitare.
Dokumenti thotë se sulmi rus ndaj Ukrainës krijon kushte të favorshme për sulme hibride dhe provokime kundër Lituanisë nga autoritetet ruse dhe bjelloruse, veçanërisht në zonën kufitare.
Sipas dekretit, situata përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin publik të Lituanisë, gjë që kërkon “vendosjen e përkohshme të masave emergjente”.
Kryeministrja Ingrida Šimonytė tha se gjendja e jashtëzakonshme nuk do të përfshijë kufizime të rëndësishme për qytetarët lituanez.
Presidenti Nauseda tha se sanksionet e BE-së duhet të mbulojnë jo vetëm Rusinë, por edhe Bjellorusinë, ku Moska ka vendosur rreth 30 mijë trupa.