Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Jemi në pritje të shkresave nga institucionet që i shërbejnë hetimit të inceneratorëve, SPAK-u duhet të veprojë


Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur në një deklaratë për mediet lidhur me aferën e inceneratorëve dhe komisionin hetimor që është ngritur në Parlament për këtë.

Tabaku tha se ndërkohë që qeveria shqiptare paguan për këto inceneratorë, ata janë jashtë funksionit.

 “Qeveria shqiptare paguan çdo ditë, qytetarët paguajnë, buxheti i shtetit gjendet më i varfër dhe i vjedhur. I bëj thirrje institucioneve që nuk kanë kthyer përgjigje, vazhdoj me Bashkinë Tiranë që të kthejnë të dhëna për procedurës. Sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë premtoi të sjell procesverbalet e mbledhjeve kur janë diskutuar vendimet për inceneratorët. Presim nga Nano që të sjellë lëvizjen e të gjithë personave që ne kemi kërkuar. Unë besoj se informacioni ka qenë publik i udhëtimeve të këtyre të fundit. Ne kemi dhe pak ditë për të bërë raportin. Kryebashkiaku i Tiranës tha se nuk ka një vendim të këshillit bashkiak. Tre kompanitë dhe përfaqësuesit e tyre nuk dinin të shpjegonin se ku shkuan paratë. Paratë e shqiptarëve kanë shkuar në parajsa fiskale. Kemi tre inceneratatorë në letër dhe askush nuk kryen punën.”- tha Tabaku.

Nënkryetarja e PD-së u shpreh se inkurajon SPAK-un për të vendosur përpara drejtësisë zyrtarët e niveleve të larta.

“PD ka inkurajuar SPAK-un që të vendosë përpara drejtësisë zyrtarët e niveleve të larta. Tani që informacioni është publik dhe që tre kompani kanë marrë tre kontrata koncesionare, SPAK ndjen peshën që ky informacion është publik dhe ata duhet të veprojnë. Interesi i parë i PD në luftën ndaj korrupsionit është vendosja para drejtësisë e atyre që kanë bërë korrupsionin e madh me 430 milionë euro.”– tha Tabaku.