Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar në një deklaratë televizive të enjten se kombi i tij ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë.
Ai i kërkoi publikut të mbështesë forcat e armatosura kombëtare, duke përfshirë marrjen e armëve dhe përgatitjen për një luftë dhe premtoi të heqë sanksionet personale, të cilat ai i kishte vendosur më parë, nga kushdo që dëshiron të mbrojë Ukrainën.
Zelensky tha se sulmi rus kundër Ukrainës ishte i ngjashëm me një pushtim nazist. Ai u kërkoi qytetarëve rusë të protestojnë kundër vendimit të qeverisë për të nisur sulmin ndaj vendit.
Udhëheqësi ukrainas u bëri thirrje mediave të vendit të mbështesin unitetin kombëtar duke kryer ‘mobilizim informacioni’. Ai u kërkoi mediave ‘të raportojnë mbi reagimin e ushtrisë ukrainase ‘. Ai tha se kishte mungesë të një informacioni të tillë dhe se trupat kishin nevojë për mbështetje nga publiku.
Presidenti pohoi se ‘armiku pësoi humbje serioze’ dhe se dëmi do të rritet më tej.
Zelensky tha se qeveria e tij ‘tashmë po shpërndan armë’ për secilin që dëshiron të mbrojë sovranitetin e Ukrainës. Ai u bëri thirrje të gjithë personave të aftë që të paraqiten për shërbim në qendrat e mobilizimit.
Sulmi rus herët në mëngjes kundër forcave ukrainase ishte ‘djallëzor’ dhe i ngjashëm me mënyrën se si Gjermania naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, tha Zelensky.
“Rusia po ecën në rrugën e së keqes”, tha ai.