Vendosni fjalën kyçe....

Maria Zakharova: Ukraina minoi dialogun për vite me radhë


Ministria e Jashtme ruse tha të premten se Moska është gjithmonë e gatshme për dialog, edhe me kundërshtarët më “agresivë”, por Kievi e ka minuar dialogun për vite me radhë.

Zëdhënësja Maria Zakharova i bëri këto komente kur u pyet në lidhje me bisedimet e mundshme me Ukrainën, gjatë një paraqitje televizive. Megjithatë sipas saj, pika kryesore e pengesës qëndron tek pozicioni i Kievit.

“Gjatë viteve të fundit, një listë vendimesh që ata (zyrtarët e Ukrainës) morën dhe i justifikuan me interesat e tyre kombëtare – në fakt, bien ndesh me të njëjtat interesa.”- deklaroi Zakharova gjatë një paraqitjeje në një emision televiziv, citon RT.

Sipas Zakharovës, SHBA e ka këshilluar Kievin që të mos angazhohet në dialog me Republikat Popullore të Donetskut dhe Luganskut, të cilat u njohën zyrtarisht nga Rusia në fillim të kësaj jave.

Të premten, Moska tha se Ukraina kishte rënë dakord të negocionte me Rusinë, por më pas nuk i përfilli ato. “Pala ukrainase tha se kishte rishqyrtuar idenë e mbajtjes së bisedimeve në Minsk, në vend të kësaj zgjodhi Varshavën dhe më pas u zhduk.”- u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kujtojmë se Putin njoftoi nisjen e një operacioni në Ukrainë të enjten në mëngjes, duke këmbëngulur se misioni ishte i nevojshëm për të “çmilitarizuar dhe denazifikuar” atë që ai e quajti “regjimin” në Kiev. Në fillim të kësaj jave, ai njohu republikat separatiste të Donetskut dhe Luganskut në Ukrainën lindore.