Vendosni fjalën kyçe....

Sanksionet ndaj Rusisë nisin të aplikohen, sekuestrohet një anije mallrash në Kanalin Anglez


Sanksionet e fundit tregtare kanë filluar të godasin ekonominë ruse. Daily Mail shkruan se një anije ruse mallrash që kishte destinacion Shën Petersburgun u kap në Kanalin Anglez mëngjesin e të shtunës.

Anija e quajtur ‘Lideri Baltik’ mendohet se i përket një prej 100 kompanive ruse që u goditën me sanksione të forta nga BE-ja këtë javë. Autoritetet franceze gjithashtu konfirmuan se anija, e cila ishte ngarkuar me automjete, mund t’i përkiste një kompanie ruse të dyshuar për shkeljen e sanksioneve tregtare të vendosura për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë.

Oficerëve detarë u është dhënë fuqia për të kapur dhe sekuestruar anijet e dyshuara që shkelin sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

Ky është rasti i parë i ngrirjes së aseteve ruse pas vendosjes së sanksioneve këtë javë.

Anija u kap nga zyrtarët doganorë pranë Honfleur, në Normandi, pasi u nis nga qyteti francez i Rouen.

‘Lideri Baltik’ kishte mbërritur në qytetin francez të Rouenit më 19 shkurt dhe kaloi pothuajse gjashtë ditë e ankoruar atje deri në nisjen të premten mbrëma. Anija pritej të arrinte në Shën Petersburg të enjten, më 3 mars.

Kapiteni Véronique Magnin, oficer rajonal i komunikimit për prefekturën detare, tha se anija më pas u devijua në portin francez të Boulogne-sur-Mer midis orës 3 dhe 4 të mëngjesit dhe se kontrollet e vazhdueshme po kryheshin nga zyrtarët doganorë. Ata që ndodheshin në bordin e ‘Liderit Baltik’ thuhet se po bashkëpunojnë me hetimin. Procesi mund të zgjasë deri në 48 orë.