Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të 46-vjeçarit Altin Alikaj, ngjarje e ndodhur më 19 shkurt në Vlorë.
Po ashtu është vënë në pranga edhe një tjetër person i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.
“Shtetasi Shazi Ahmetaj, dyshohet si autor i vrasjes se shtetasit Altin Alikaj, i cili u gjet pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa shtetasi Mateo Kiptiu, dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u fshehur, duke i siguruar një mjet të marrë me qira për lëvizjen e tij.”—thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se Altin Alikaj u gjet i pajetë një javë më parë në banesën e tij në lagjen “24 Maji” të Vlorës, nga e ëma e cila ishte kthyer nga Greqia e shqetësuar për fatin e të birit që kishte ditë i humbur.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “NDËSHKIMI”.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes me armë zjarri të 46 vjeçarit, ngjarje e ndodhur më datë 19.02.2022, në lagjen 24 Maji, Vlorë
Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër për përkrahje të autorit të krimit.
Gjithashtu sekuestrohet një sasi lënde narkotike, e dyshuar Heroinë.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë, Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, si rezultat i hetimeve të thelluara dhe punës profesionale të kryer, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Bazuar në provat e grumbulluara, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “NDËSHKIMI”.
Në kuadër të operacionit u bë e munduar kapja dhe ndalimi i shtetasit Shazi Ahmetaj, 23 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnje, me preçedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Mateo Kiptiu, 30 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnje, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Shtetasi Shazi Ahmetaj, dyshohet si autor i vrasjes se shtetasit Altin Alikaj, i cili u gjet pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa shtetasi Mateo Kiptiu, dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u fshehur, duke i siguruar një mjet të marrë me qira për lëvizjen e tij.
Në momentin e ndalimit shtetasit Shazi Ahmetaj, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 40.5 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë.
Vazhdojnë veprimet hetimore për të përcaktuar motivet e këtij krimi të rëndë, si dhe për identifikimin e personave të tjerë, që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Përkrahja e autorit të krimit”.