Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada kineze në Rusi i drejton gishtin SHBA-ve: Mos harroni kush është kërcënimi i vërtetë për botën


Ambasada kineze në Moskë i ka drejtuar gishtin Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kërcënimi real për botën.

“Kurrë mos harroni se kush është kërcënimi i vërtetë për botën.”- tha misioni diplomatik në një postim në “Twitter”, duke bashkangjitur një listë të vendeve të bombarduara nga Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore.

Lista përfshin mbi 20 vende, të cilat përfaqësojnë afërsisht një të tretën e popullsisë globale.

Siç shkruan agjencia e lajmeve TASS, presidenti rus Vladimir Putin tha në një fjalim televiziv më 24 shkurt se në përgjigje të një kërkese të krerëve të republikave të Donbasit ai kishte marrë një vendim për të kryer një operacion të posaçëm ushtarak për të mbrojtur njerëzit që sipas tij “kanë vuajtur nga abuzimi dhe gjenocid nga regjimi i Kievit për tetë vjet.”

Udhëheqësi rus theksoi se Moska nuk kishte plane për të pushtuar territoret e Ukrainës. Objektivat e tij ishin “demilitarizimi dhe denazifikimi” i vendit.

Pas njoftimit, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të tjera njoftuan se po vendosin sanksione ndaj zyrtarëve dhe individëve rusë.