Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e “5 Majit” para Kryeministrisë: Rama qan hallin e Ukrainës e ne na nxjerr jashtë, po na kërcënojnë mos të dalim në protestë


Banorët e lagjes “5 Maji” në kryeqytet protestuar përsëri këtë të dielë përpara godinës së Kryeministrisë.

Ata kanë kërkuar të dinë nga kryeministri se çfarë do të bëhet me fatin e tyre, në një kohë kur banesat e tyre janë prishur pa një vendim e pa kontrata për banesat e reja apo dëmshpërblimin.

Një prej protestuesve bëri ironi me kryeministrin duke përmendur çështjen e Ukrainës. Ai tha se Rama më shumë qan hallin e Ukrainës se të qytetarëve të tij.

 “Të paktën në ato rrënoja, mund të fusin ndonjë nga refugjatët nga Ukraina. Ça t’i kërkojmë kryeministrit kur qan hallin e Ukrainës, me të drejtë, dhe ne na nxjerr jashtë. Nuk kam ku të rri, kam shtëpinë, por se kam më. S’di se ku të rri tjetërkund, pasi banesa mu shemb në 22 shkurt. U arrestuam 5 veta, dhe vajza ime po ashtu. Të arrestohesh se po qëndron në shtëpinë tënde, se di! Kini kujdes, mos rrini në shtëpitë tuaja. Mos rrini aty, se mos ju arrestojnë. Ikni në hotel. Mua më ndodhim dhe mendoj se do iu ndodh edhe të tjerëve, siç më ndodhi mua.”– tha protestuesi.

Një tjetër tha se autoritetet bashkiake dhe të qeverisë po përdorim forma nga më të ndryshmet për të ushtruar presion mbi ata që të mos dalin më në protestë.

“Ka nga ata që janë mësues, punojnë në administratë në institucione të ndryshme, kërcënohen: Mos të dalë familja jote në protestë se do të heqim nga puna, ty dhe të tjerët.

Fëmijët nga çerdhet i kërcënojnë që t’i heqin. Domethënë po përdoret i gjithë mekanizmi qeveritar për të kërcënuar njerëzit, familjet që nesër mbesin pa shtëpi, që të mos dalin në protestë. Unë e kuptoj këtë frikën, por s’kuptoj çfarë gjëje më të rëndësishme se banesa mund të ketë. Se punë gjen përsëri, Tirana ka vende pune thuhet sa të duash. Nëse kërkohet luksi i një zyre atëhere të qëndrojnë, t’u shembet banesa dhe me pagën që marrin iu duhen 100 vjet për ta paguar një banesë të re.”– tha ai.