Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi të dielën se BE do ndalojë mediat ruse RT dhe Sputnik duke i akuzuar ato për përhapjen e ‘dezinformatave të dëmshme’.
Ajo nuk specifikoi nëse ky ndalim do të zbatohet vetëm për transmetimet televizive, apo nëse faqet e internetit të RT dhe Sputnik do të preken.
Në atë që ajo e quajti një hap ‘të paprecedentë’, Von der Leyen njoftoi se ‘ne do të ndalojmë në Bashkimin Evropian makinën mediatike të Kremlinit’.
“Russia Today dhe Sputnik në pronësi të shtetit, si dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit dhe për të mbjellë ndarje në bashkimin tonë. Ne po zhvillojmë mjete për të ndaluar dezinformimin toksik dhe të dëmshëm në Evropë.” – tha ajo.
Lëvizja e Von der Leyen vjen një ditë pasi Shoqata e Gazetarëve Evropianë i bëri thirrje BE-së që të zbatojë një ndalim në mbarë bllokun të RT-së dhe të ‘heqë’ gazetarët e saj. Ai gjithashtu vjen disa ditë pasi BE sanksionoi kryeredaktoren e RT, Margarita Simonyan.
Menjëherë përpara se të shpallte ndalimin e RT dhe Sputnik, von der Leyen zbuloi se BE do të mbyllë gjithashtu hapësirën e saj ajrore për të gjithë avionët rusë dhe do të furnizojë Ukrainën me armë.