Vendosni fjalën kyçe....

OKB bën bilancin: 64 të vdekur në Ukrainë nga pushtimi rus


Organizata e Kombeve të Bashkuara OKB thotë se të paktën 64 civilë janë vrarë dhe më shumë se 160 mijë janë në lëvizje pasi trupat ruse hynë në Ukrainë këtë javë.

“Që nga ora 17:00 e datës 26 shkurt, Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR) raporton të paktën 240 viktima civile, duke përfshirë të paktën 64 të vdekur.”– tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në një raport, citon Reuters.

Në raport thuhet se shifrat aktuale ka të ngjarë të jenë “dukshëm më të larta”.

Dëmtimi i infrastrukturës civile ka lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike dhe ujë. Qindra shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar, ndërsa urat dhe rrugët e goditura nga bombardimet kanë lënë disa komunitete të shkëputura nga tregjet.

Raporti që citon agjencinë e OKB-së për refugjatët thotë se më shumë se 160 mijë njerëz ishin zhvendosur brenda vendit dhe më shumë se 116 mijë të tjerë ishin detyruar të iknin në vendet fqinje.

“Agjencitë e OKB-së dhe partnerët humanitarë janë detyruar të pezullojnë operacionet për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë.”- tha OCHA. “OKB-ja dhe partnerët e saj ruajnë praninë e tyre në të gjithë vendin dhe mbeten të përkushtuara për të qëndruar në terren dhe për t’iu përgjigjur nevojave në rritje humanitare dhe rreziqeve të mbrojtjes sapo ta lejojë situata.”