Vendosni fjalën kyçe....

Pas skadimit të afatit, delegacioni i Ukrainës shkon në Bjellorusi për bisedime me Rusinë


Delegacioni i Ukrainës po shkon në Gomel të Bjellorusisë për negociatat me Rusinë. Të paktën kështu ka deklaruar ndihmësi i Presidentit rus Vladimir Putin dhe kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky.

Ky njoftim vjen vetëm pak minuta pasi skadoi afati i caktuar më parë nga delegacioni rus për fillimin e negociatave me Ukrainën, shkruan Sputnik.

Kujtojmë se më herët këto negociata ishin refuzuar nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, duke thënë se bisedimet në Bjellorusi mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus. Kështu ai kërkoi që bisedimet të kryhen në një vend tjetër.

Por Rusia i la një afat Ukrainës për të kryer këto negociata.

Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, tha se përfaqësuesit e Rusisë do të presin përgjigjen e Ukrainës në Gomel  për takimin deri në orën 15:00 (sipas orës lokale).

“Do të presim përgjigjen e palës ukrainase për të konfirmuar vendimin e tyre për negociatat në Gomel, deri në orën 15:00, dhe sapo të marrim konfirmimin, do të shkojmë menjëherë atje dhe do të takojmë kolegët tanë.”- tha Medinsky.

Ai paralajmëroi se “në rast të refuzimit për të negociuar, përgjegjësia për gjakderdhjen nga pala ukrainase do të jetë e plotë”.