Vendosni fjalën kyçe....

Uashingtoni reagon pasi Putini vendosi forcat bërthamore në gjendje gatishmërie


Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pas urdhrit të Presidentit Vladimir Putin për vendosjen e forcave bërthamore të Rusisë në një gjendje gatishmërie “të veçantë“.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, lëvizja e bën më të lehtë lëshimin e armëve, por kjo ishte më shumë një mënyrë që Rusia t’i dërgonte një paralajmërim NATO-s, në vend që të sinjalizonte një qëllim për t’i përdorur ato, shkruan BBC.

Ndërkohë ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, e quajti lëvizjen “të papranueshme” në një intervistë për CBS News.

“Kjo do të thotë se presidenti Putin po vazhdon të përshkallëzojë këtë luftë në një mënyrë që është krejtësisht e papranueshme dhe ne duhet të vazhdojmë t’i frenojmë veprimet e tij në mënyrën më të fortë të mundshme.”- tha ajo.

Pak më herët, presidenti i Rusisë Vladimir Putin urdhëroi forcat e parandalimit bërthamor të Rusisë që të jenë në gatishmëri të lartë pas asaj që e quajti “deklaratë agresive” të NATO-s.

“Zyrtarët e lartë të vendeve kryesore të NATO-s kënaqen duke bërë deklarata agresive për vendin tonë. Prandaj, unë po urdhëroj ministrin e mbrojtjes dhe shefin e shtabit të përgjithshëm që të vendosin forcat parandaluese të ushtrisë ruse në modalitetin e detyrës speciale luftarake.”-tha Putin, citon Sputnik.

Putin tha se NATO nuk i ka kufizuar veprimet e saj vetëm në “veprime jomiqësore kundër vendit tonë në sferën ekonomike” në formën e sanksioneve.