Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria ukrainase pretendon se ka rimarrë kontrollin në Kharkov


Ukraina ka rifituar kontrollin e Kharkovit, qyteti i dytë më i madh i vendit, pas luftimeve me forcat ruse, tha të dielën guvernatori rajonal.

Guvernatori i Kharkiv, Oleh Synyehubov e bëri deklaratën në Telegram, duke thënë se forcat e armatosura ukrainase, duke përfshirë policinë dhe njësitë e mbrojtjes, kishin kontroll të plotë të qytetit dhe po ‘pastronin’ qytetin nga armiku.

Sipas pamjeve në qarkullim, përleshje të rënda shpërthyen mes forcave ukrainase dhe ushtrisë ruse në qytet të shtunën vonë.

Ndërhyrja e Rusisë të enjten erdhi vetëm disa ditë pasi Moska njohu pavarësinë e dy enklavave të kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.

Të paktën 368,000 ukrainas janë larguar nga vendi që nga fillimi i sulmit të Moskës, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Fuqitë perëndimore kanë vendosur sanksione financiare ndaj Moskës dhe kanë vendosur të furnizojnë Ukrainën me armë dhe municion.