Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet 52-vjeçari në Kamzë, i gjendet në banesë një pistoletë pa leje e 173 fishekë


Një pistoletë pa leje, katër krehëra e 173 fishekë janë gjetur në banesën e 52-vjeçarit me iniciale N.B., djali i të cilit është arrestuar gjatë operacionit ‘Road Guard 3’ në Gjirokastër.

Pas kontrollit në banesën e tij në Kamzë, policia ka gjetur armën e lartpërmendur.

52-vjeçari është arrestuar në flagrancë nga policia e Tiranës.

Njoftimi

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra nga DVP Gjirokastër, në vijim të operacionit policor të koduar “Road Guard 3”, se babai i një prej të arrestuarve në kuadër të operacionit, mund të kishte armë zjarri në banesë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan punën dhe ushtruan kontroll në banesën e shtetasit N. B., 52 vjeç, banues në Kamzë. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë të lyer me graso dhe futur në një kllëf lëkure, katër krëhëra dhe 173 fishekë luftarak. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. B., 52 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”