Boiken Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Ukrainën e cila prej pesë ditësh gjendet në luftë pas futjes së trupave ruse në vend.
Por e ai e shikon në një tjetër prizëm këtë, dhe përtej marrëdhënies Ukrainë-Rusi përqendrohet në fqinjin tonë Serbinë.
Në një analizë, Abazi thotë se ukrainasit sot po luftojnë edhe për shqiptarët, pasi situata që po ndodh atje e lë qeverinë e Serbisë me në krye Aleksandër Vuçiçin para tre opsioneve: Të shkëputet nga Rusia, të nisë një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor në koordinim me Rusinë ose të mbajë qëndrimin aktual ndaj Rusisë deri në fund si bazë mbështetëse e saj.
Abazi thotë se sa më shumë zgjat rezistenca çlirimtare ukrainase, aq më i dobët bëhet Vuçiç brenda Serbisë dhe kjo në një kohë kur para janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe presidenciale, që do mbahen në prill.
“Sa më shumë zgjat rezistenca çlirimtare ukrainase, aq më tepër demaskohet ndërkombëtarisht regjimi shoven i Vuçiqit, aq më pak opsione i mbeten, aq më i dobët bëhet brenda Serbisë. Kjo është një arsye më shumë pse shqiptarët janë sot me Ukrainën.
Pa e parashikuar askush më herët, ukrainasit po luftojnë sot edhe për shqiptarët.”- shkruan Abazi.
KOMENTI I PLOTË I ABAZIT
Ukrainasit po luftojnë sot edhe për shqiptarët
Me vazhdimin e rezistencës çlirimtare ukrainase, regjimi i Vuçiqit në Serbi ka tre opsione:
- Të shkëputet nga Rusia dhe t’i bashkohet sanksioneve të NATO-së dhe BE-së. Gjë që nuk duket se ka asnjë shans të ndodh, pa rënë regjimi i Vuçiqit dhe pa u ngritur në pushtet forca politike progresiste.
- Të nisë një konflikt të armatosur në Ballkanin Perëndimor në koordinim me Rusinë, për ta ndihmuar këtë të fundit dhe për të shfrytëzuar rastin për të pushtuar territore për Serbinë. Në këtë rast do të gjente përballë shqiptarët, boshnjakët, kroatët … dhe një NATO dhe BE tashmë të unifikuar, në një kohë kur lufta në Ukrainë nuk po shkon sipas parashikimeve të Rusisë.
- Të mbajë qëndrimin aktual ndaj Rusisë deri në fund, duke u shndërruar në një bazë mbështetëse për Rusinë, me shpresën se mund të vazhdojë të luajë rolin e viktimës para Perëndimit, pa u dorëzuar para presionit perëndimor.
Nuk duhet të harrojmë se Serbia ka zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe presidenciale në prill, por edhe që lufta është dinamike dhe krijon situata të paparashikueshme. Megjithatë, unifikimi i qëndrimeve dhe veprimeve të NATO-së dhe BE-së, që ka nxitur rezistenca e palëkundur ukrainase ndaj pushtimit rus, ka tronditur jo vetëm Putinin por edhe aleatët e tij në Ballkan, Vuçiqin dhe Dodikun.
Sa më shumë zgjat rezistenca çlirimtare ukrainase, aq më tepër demaskohet ndërkombëtarisht regjimi shoven i Vuçiqit, aq më pak opsione i mbeten, aq më i dobët bëhet brenda Serbisë. Kjo është një arsye më shumë pse shqiptarët janë sot me Ukrainën.
Pa e parashikuar askush më herët, ukrainasit po luftojnë sot edhe për shqiptarët.