Vendosni fjalën kyçe....

Brazili do qëndrojë asnjanës në konfliktin mes Rusisë e Ukrainës – B0lsonaro


Brazili ka kundërshtuar të zgjedhë anë në konfliktin e tanishëm mes Rusisë dhe Ukrainës, duke u zotuar të mbetet asnjanës, teksa SHBA, BE, Britania e Madhe dhe aleatët vazhdojnë të vendosin sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, duke e akuzuar atë për agresion ‘të paprovokuar’.

Në një konferencë për shtyp të dielën, presidenti brazilian Jair Bolsonaro tha se vendi ‘nuk do të mbajë anë’ dhe ‘do të vazhdojë të jetë asnjanës’ ndërsa ndihmon me ‘çfarëdo që të jetë e mundur’.

Duke i quajtur Rusinë dhe Ukrainën ‘praktikisht kombe vëllezër’, Bolsonaro vuri në dukje se ‘një pjesë e madhe e popullsisë së Ukrainës flet rusisht’.

Duke folur për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ishte një nga komedianët më të njohur të Ukrainës përpara hyrjes së tij në politikë, Bolsonaro tha se ukrainasit ‘e kishin vendosur shpresën e kombit të tyre në duart e një humoristi’.

Brazili i bashkohet një numri vendesh që deri më tani kanë mbetur asnjanës pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, duke përfshirë Kinën, Indinë, Pakistanin dhe Izraelin.