Kopenhagen ka zbuluar se do të lejojë shtetasit danezë të bashkohen me forcën ushtarake ndërkombëtare që Kievi planifikon të krijojë për të ndihmuar ushtrinë e vet në konfliktin me Rusinë.
“Është një zgjedhje që çdokush mund ta bëjë. Kjo vlen për të gjithë ukrainasit që jetojnë këtu, por edhe për të tjerët që mendojnë se mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në konflikt”, tha kryeministrja Mette Frederiksen në një konferencë për shtyp të dielën.
“Nuk ka asgjë në shikim të parë që do të pengonte ligjërisht dikë që të shkojë në Ukrainë për të marrë pjesë në konflikt me palën ukrainase,” shtoi Frederiksen.
Më herët, kryeministrja mori pjesë në një protestë masive kundër sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës përpara ambasadës ruse në Kopenhagen duke i thënë turmës se ‘jeni të gjithë ju dhe e gjithë Evropa ata që kërcënohen nga Rusia’.
Kjo vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi krijimin e Legjionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, i cili do të bënte të mundur që të huajt të bashkoheshin me radhët e tij dhe të luftonin së bashku me ushtrinë ukrainase kundër forcave ruse.
Kryeministrja daneze nuk është e para që e mbështet këtë ide. Më herët të dielën, Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss tha gjithashtu se ajo do të mbështeste ‘absolutisht’ britanikët që duan t’i bashkohen aksionit ushtarak në anën e Ukrainës.
“Unë e mbështes atë. Sigurisht, kjo është diçka për të cilën njerëzit mund të marrin vendimet e tyre,” tha ajo në emisionin e mëngjesit të BBC-së, duke shtuar se Ukraina po lufton për ‘lirinë, demokracinë e për “të gjithë Evropën’