Oficerët e zbatimit të ligjit në dy qytete të Ukrainës janë autorizuar të qëllojnë grabitësit “në vend”.
RT raporton se një numër i konsiderueshëm plaçkitjesh janë raportuar në të gjithë vendin që nga fillimi i operacionit ushtarak të Rusisë. Kryetari i bashkisë së Zhytomyr, Sergey Sukhomlyn, në një video të publikuar në “Facebook” përmendi një tentativë për grabitje të një dyqani në një zonë të qytetit të drejtuar prej tij.
“Unë po i paralajmëroj të gjithë: policinë, Gardën Kombëtare, njësitë e mbrojtjes territoriale – të gjithë kanë marrë urdhra që të mos i ndalojnë, thjesht mund t’i qëllojnë në vend. Nuk do të ketë plaçkitje në qytet.”– tha Sukhomlyn të dielën.
Të nesërmen, kreu i komunitetit territorial të Okhtyrka Pavel Kuzmenko publikoi një paralajmërim të ngjashëm. Duke thënë se plaçkitjet ishin përhapur në “sektorin privat” të qytetit, ai u bëri thirrje njerëzve që të raportojnë menjëherë çdo incident të dyshimtë.
“Plaçkitja përfundon me të shtëna në vend.”- tha Kuzmenko në videon e tij në “Facebook”.
Ai gjithashtu theksoi se pronarët e dyqaneve që rrisin çmimet e ushqimeve do të konsiderohen gjithashtu si grabitje.
“Çeçenët do të vijnë dhe ju do të përfitoni prej tyre.”- tha ai, duke iu referuar njoftimit të liderit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov për mijëra burra nga Çeçenia që po përgatiteshin për të ofruar ndihmë për forcat e armatosura të Rusisë në Ukrainë.
Disa klipe dhe foto të publikuara në mediat sociale supozohet se tregojnë të dyshuarit për grabitje duke u lidhur me shtylla në qytetet e Ukrainës për t’i parë publiku. Por këto klipe nuk janë konfirmuar nëse janë të vërteta.