Vendosni fjalën kyçe....

Meta pas takimit me ambasadorin e Ukrainës: Vetëm rruga e dialogut në pozita të barabarta është zgjidhje për këtë situatë


Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot në ambasadën e Ukrainës në Tiranë një takim me ambasadorin Volodymyr Shkurov.

Pas këtij takimi, ai doli në një deklaratë për mediat ku tha se pushtimi rus i Ukrainës është agresion i pabesë dhe i pajustifikuar.

Meta tha se Rusia dhe Ukraina duhet të ndalojnë luftën e të gjejnë zgjidhje të situatës përmes dialogut. Sipas tij, vetëm rruga e dialogut në pozita të barabarta është zgjidhje për këtë situatë.

 “Po mbrojnë lirinë dhe dinjitetin e tyre, si një popull evropian që ka dhënë aq shumë për lirinë, në të kaluarën, por që dhe sot po jep një shembull frymëzues për të mbrojtur jo vetëm shtetin e tyre, për mbrojtur jo vetëm dinjitetin e tyre kombëtar e njerëz, por edhe vlerat më të mira evropiane. Ndaj jemi në krah të Ukrainës e të Presidentit Zelensky, jemi për të shprehur dhe njëherë ngushëllime për viktimat e pafajshme dhe të gjithë të lënduarit, nga ky agresion i pabesë dhe i pajustifikuar.

Natyrisht që ne kemi bërë e do bëjmë të gjitha përpjekjet, së bashku me të gjitha vendet demokratike e të përgjegjshme, për të nxitur jo vetëm armëpushimin dhe rikthimin e dialogut, por njëkohësisht ne besojmë se vetëm rruga e dialogut në pozita të barabarta është zgjidhja për këtë situatë dhe në këtë drejtim përpjekjet tona edhe si vend anëtar i NATO, por edhe si një vend që synon anëtarësimin në BE, kanë qenë dhe mbeten të qarta, në një linjë të plotë me NATO e me BE. Dua të falënderoj të gjitha institucionet tona, Kryqin e Kuq, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarët, që kanë shprehur solidaritetin, që kanë nisur mbështetjen humanitare. Shpresojmë që sa më parë kjo situatë të tejkalohet, por sigurisht që ne do të vazhdojmë të jemi në krah të popullit të Ukrainës dhe brenda gjithë mundësive tona do të marrim përgjegjësitë tona dhe do të ndajmë peshën e solidaritetit me të gjithë vendet e tjera të BE.”- tha Meta.