Vendosni fjalën kyçe....

Putini e quan Perëndimin “Perandoria e Gënjeshtrave” pas sanksioneve kundër Rusisë


Presidenti rus Vladimir Putin sfidues pas paketës së sanksioneve e ka quajtur Perëndimin “Perandorinë e Gënjeshtrave”, gjatë një mbledhjeje mbi trazirat ekonomike të luftës pesë-ditore me Ukrainën.

“Ju ftova të diskutoni çështjet ekonomike dhe financiare. Ne e kemi diskutuar këtë temë me Mikhail Vladimirovich, sigurisht duke pasur parasysh sanksionet që i ashtuquajturi komuniteti perëndimor ose ‘Perandoria e gënjeshtrave’, siç e quajta në fjalimin tim, po përpiqet të zbatojë kundër vendit tonë. Le të fillojmë ju lutem”- tha presidenti rus.

Kremlini tha më herët se Rusia “ka potencialin e nevojshëm për të kompensuar dëmin” nga sanksionet e gjera të perëndimit pas sulmit ndaj Ukrainës.

Siç shkruan “The Moskow Times”, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve “realiteti ekonomik ka ndryshuar ndjeshëm, le ta themi kështu”, duke shtuar se Rusia kishte ndërmarrë hapa për t’u përgatitur.

“Rusia është përgatitur sistematikisht për një kohë mjaft të gjatë për sanksionet e mundshme, duke përfshirë sanksionet më të rënda me të cilat po përballemi tani.”- tha ai.

Sanksionet e rënda financiare të vendosura nga Perëndimi e kanë çuar rublën në një kthesë, duke pësuar një rënie 20% kundrejt dollarit. Banka Qendrore Ruse më shumë se dyfishoi normën e saj kryesore të interesit në 20% në përpjekje për ta mbështetur atë.

Ndërkohë, bursa e Moskës mbeti e mbyllur gjatë gjithë ditës.