Vendosni fjalën kyçe....

Roman Abramovich bëhet negociator i bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë


Pronari i Chelsea-t, Roman Abramovich, po bën përpjekje për të ndërmjetësuar ruajtjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

Miliarderi rus është nën presion për të folur pas pushtimit të Ukrainës nga forcat e Vladimir Putin.

Disa politikanë evropianë kanë bërë thirrje që ai të përballet me sanksione duke u konsideruar si një oligark i madh “me lidhje me shtetin rus”.

Por duket se miliarderi rus është angazhuar drejtpërdrejt në negociatat mes dy vendeve dhe ndodhet aktualisht në Bjellorusi për të siguruar paqen.

Një zëdhënës i tij tha: “Unë mund të konfirmoj se Roman Abramovich u kontaktua nga pala ukrainase për mbështetje në arritjen e një zgjidhjeje paqësore dhe se ai është përpjekur të ndihmojë që atëherë.

Duke marrë parasysh se çfarë është në rrezik, ne do të kërkojmë mirëkuptimin tuaj se pse nuk kemi komentuar as situatën dhe as përfshirjen e tij”.

Siç shkruan Sky News, përfshirja Abramovich erdhi pas një kërkese të producentit ukrainas të filmit Alexander Rodnyansky.

Ende nuk janë bërë të ditura detaje rreth rolit të tij, por u pranua se ndikimi i tij ishte “i kufizuar“.

Rodnyansky tha: “Unë mund të konfirmoj se pala ukrainase është përpjekur të gjejë dikë në Rusi të gatshëm për t’i ndihmuar ata në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore. Ata janë lidhur me Roman Abramovich përmes komunitetit hebre dhe iu drejtuan atij për ndihmë.”

Producenti ukrainas shtoi: “Nëse kjo do të ketë ndikim apo jo, nuk e di, por unë jam në kontakt me stafin e Zelensky-t vetë dhe e di se ata janë mirënjohës për përpjekjet e tij të vërteta”.