Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka njoftuar sot pezullimin e plotë të operacioneve në ambasadën amerikane në Bjellorusi. Ai tha gjithashtu se diplomatët amerikanë në Rusi ishin të autorizuar nga departamenti të largoheshin nga vendi, me vetëm personelin thelbësor që qëndronte pas.
“Ne i morëm këto hapa për shkak të çështjeve të sigurisë që rrjedhin nga sulmi i paprovokuar dhe i pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse në Ukrainë.”– tha zyrtari amerikan, citon RT.
Departamenti tha se nuk kishte “prioritet më të lartë se siguria e qytetarëve amerikanë”, duke përfshirë punonjësit dhe familjet e tyre.
Ambasada amerikane në Moskë më herët këshilloi qytetarët e saj që “menjëherë” të largohen nga Rusia duke përmendur një ndarje të përshkallëzuar të transportit midis Rusisë dhe vendeve perëndimore. Paralajmërimi thoshte se amerikanët nuk duhet të udhëtojnë në Rusi, duke përmendur këtu “potencialin për ngacmim ndaj qytetarëve amerikanë” dhe aftësinë e kufizuar të ambasadës për t’u ofruar atyre ndihmë. Këto zhvillime vijnë pasi BE-ja njoftoi të dielën se nuk do të lejojë avionët e pasagjerëve rusë në hapësirën e saj ajrore. Disa vende jashtë bllokut si Britania e Madhe vendosën gjithashtu kufizime të ngjashme. Rusia nga ana tjetër si përgjigje ndaloi avionët nga 36 kombe dhe territore të huaja.