Vendosni fjalën kyçe....

Shpërndarësit e rrjetit kabllor në Kosovë heqin mediat ruse nga transmetimi


Operatorët shpërndarës të rrjetit kabllor në Kosovë kanë nisur largimin nga transmetimi të kanaleve ruse, pas një vendimi të Komisionit të Pavarur për Media në Kosovë, për të mos lejuar përhapjen e propagandës ruse.

Faruk Rexhaj, kryeshef i Komisionit të Pavarur për Media në Kosovë, i cili është përgjegjës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit, i tha Zërit të Amerikës se “qëllimi i këtij vendimi është parandalimi i propagandës dhe mbrojtja e sigurisë publike në Republikën e Kosovës, duke pas parasysh situatën aktuale dhe gjithsesi duhet kuptuar se nuk ka për qëllim pengimin apo cenimin e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, raporton VOA.

Kanalet televizive ruse janë larguar edhe nga një operator i shpërndarjes MTS, i cili funksionon në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

MTS është në pronësi të Telekomit Serb dhe është themeluar në vitin 2015, në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“MTS nga monitorimet tona rezulton se i ka larguar ato kanale duke zbatuar kështu vendimin. Komisioni është duke monitoruar përmbajtjet e kanaleve nga operatorët e shpërndarjes dhe nga informacionet që kemi deri tani prej monitorimit të operatorëve të shpërndarjes, rezulton se vendimi është duke u zbatuar. Sigurisht se për ata operatorë që nuk i zbatojnë vendimet tona, do të ndiqet procedura ligjore”, tha zoti Rexhaj.

Edon Sahiti, nga operatori “TELKOS” i tha Zërit të Amerikës se kanalet ruse janë larguar pak para këtij vendimi. “Dy kanale ruse i kemi pasur në transmetim, të dyja tashmë janë larguar”, tha zoti Sahiti.

Mentor Hoxhaj nga organizata ‘Fact checker’, tha për Zërin e Amerikës se nga janari i këtij viti është shtuar numri i faqeve online që shpërndajnë lajme të rreme të propagandës ruse.

“Tendencën e rritjes së lajmeve të rreme e kemi konstatuar nga fundi i janarit të vitit 2022, me inskenimet e incidenteve në krahinat tanimë të ndara të Rusisë, dhe më pastaj me videot e e largimit të personave nga Donbasi, video të cilat kanë qenë më parë të regjistruara dhe që janë postuar me qëllime propagandistike, tha ai.

“Në kuadër të fushatës dezinformuese, shohim vazhdimin e kësaj propagande nga mediat pro-ruse në Serbi, ku jo rrallë bëhen “ndryshime” për te arritur qëllimet e politikës ditore serbe. Për ne në FactCheckerKS, është shqetësuese kur mediat e Kosovës përkthejnë tekstualisht lajmet e “fabrikuara” nga mediat serbe apo ruse, duke u bërë kështu pjesë e mekanizimi propagandistik dhe dezinformues”, shton ai.

Vendimi i Komisionit të Pavarur për Media, u mor në të njëtën kohë kur Bashkimi Evropian vendosi të ndalojë punë e medieve ruse Russia Today dhe Sputnik.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të dielën se këto kanale “më nuk do të kenë mundësinë të përhapin gënjeshtrat e tyre për të arsyetuar luftën e (Vladimir) Putinit”.