Turqia është e vendosur të kufizojë hyrjen e luftanijeve ruse në Detin e Zi për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë, tha të dielën ministri i saj i Jashtëm Mevlut Cavusoglu.
“Nuk janë disa sulme ajrore tani, situata në Ukrainë është zyrtarisht një luftë. Ne do zbatojmë Konventën e Montreux,” tha zyrtari për CNN Turk në një intervistë të drejtpërdrejtë.
“Turqia do zbatojë të gjitha dispozitat e Konventës së Montreux në mënyrë transparente”, shtoi ai.
Sipas Konventës së Montreux të vitit 1936, e cila rregullon ngushticat e Detit të Zi, Turqia është në gjendje të mbyllë ngushticat për anijet ushtarake të çdo kombi në një gjendje formale lufte, si dhe kur ndihet e kërcënuar nga një luftë e afërt. Megjithatë, vendi nuk mund t’i mbyllë plotësisht ngushticat, nëse nuk është vetë në gjendje lufte.
Ankaraja do të lejojë ende anijet ushtarake, që kthehen në portet e tyre të origjinës, të kalojnë nëpër ngushticat, vuri në dukje Cavusoglu.
“Nuk duhet të ketë asnjë abuzim me këtë përjashtim. Anijet që deklarojnë se kthehen në bazat e tyre dhe kalojnë nëpër ngushticat nuk duhet të përfshihen në luftë”, tha diplomati.
Kievi i ka kërkuar vazhdimisht Ankarasë që të mbyllë ngushticat për Rusinë.