Deputetja e Partisë Demokratike Oriola Pampuri, ka akuzuar këtë të martë Tom Doshin si të përfshirë në blerjen e votave për zgjedhjet lokale të 6 Marsit në qytetin e Shkodrës.
Reagimi i Pampurit vjen pas emërimit të Serdar Hoxhës si kryeinspektor i Ndërtimit për veriun. Gjatë një deklarate për mediat, deputetja e PD-së, u shpreh se ky emërim vjen me qëllim për blerjen e blerjen e votave në zonën e Velipojës.
“Pasi emëroi kandidaten për kryebashkiake ne Shkodër, Tom Doshi rikthen në detyrë edhe Serdar Hoxhën, në postin e kryeinspektorit për Veriun në Inspektoratin e Ndërtimit. Riemërimi i tij në këtë post ka për qëllim blerjen e votave në zonën e Velipojë gjë të cilën ai e bëri dhe në zgjedhjet e përgjithshme.”- deklaroi Pampuri.
Sipas PD-së, kjo është prova se Aleanca e Ramës me “non gratat” nuk është ndaluar asnjëherë.
Pampuri shtoi se qytetarët e Shkodrës e kanë të qartë zgjedhjen më 6 Mars, të refuzojnë “nongratat” dhe të votojnë birin e tyre Xhemal Bushati.
DEKLARATA E PLOTË E PAMPURIT
Pasi emëroi kandidaten për kryebashkiake ne Shkodër, Tom Doshi rikthen në detyrë edhe Serdar Hoxhën, në postin e kryeinspektorit për Veriun në Inspektoratin e Ndërtimit. Riemërimi i tij në këtë post ka për qëllim blerjen e votave në zonën e Velipojë gjë të cilën ai e bëri dhe në zgjedhjet e përgjithshme.
Ushtari i Tom Doshit ka akoma në prokurori një dosje të paverifikuar për të shkuarën e tij kriminale, por kjo nuk e ka penguar qeverinë ta emërojë atë në një detyrë të rëndësishme. Qëllimi është i qartë. Paratë e krimit dhe të drogës, postet e shtetit t’i përdorin për të blerë vota. Skema tashmë është e qartë, Tom Doshi njeriu që vendos për gjithçka në Shkodër në emër të Edi Ramës, emëron persona të inkriminuar për të përfituar vota. Duke i lënë sërish në dorë Tom Doshit, përzgjedhjen e kandidates për kryetare Bashkie, emërimet në administratë, Edi Rama ka konfirmuar sërish marrëdhënien e tij të ngushtë me personin që SHBA e shpallën non grata për shkak të së kaluarës së tij kriminale, dhunimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen në korrupsion.
Aleanca e tyre nuk është ndalur asnjëherë. Tom Doshi ka përfituar miliona euro nga qeveria e Edi Ramës, për t’i përdorur ato për blerjen e votave ashtu siç bëri në masakrën e zgjedhjeve të 25 Prillit, me të njëjtën skemë po vepron dhe sot së bashku me non gratën tjetër. Emërimi i njerëzve të Tom Doshit në qeverisjen e vendit është një nga treguesit se nën drejtimin e Edi Ramës, interesat e shqiptarëve mbeten të pambrojtura, vota e socialistëve përdoret për pushtetin e Tom Doshit.
Shkodranët në 6 mars do të vendosin nëse do ta lënë bashkinë në administrim të TOM DOSHIT apo do të refuzojnë non gratat.
Demokratët në 6 mars do të vendosi nëse do ta kenë bashkinë në administrim të LSI, mafies siç e quan zonja që sot urren PD.
Zgjedhja s’ka qenë kurrë më e qartë:
Kandidatët e non gratave apo birin e tyre Xhemal Bushatin!
Partinë e non-gratave, apo Partine Demokratike të Shqipërisë!
Aleancën me SHBA, apo aleancën e non gratave?
Kush zgjedh partinë e re të Metës dhe Berishës, mban Ramën.