Rusia e konsideron të papranueshme praninë e armëve bërthamore amerikane në një numër shtetesh evropiane. Kështu ka deklaruar sot ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në video-fjalimin e tij në konferencën e Gjenevës. Ai shtoi se armët bërthamore amerikane duhet të jenë kthyer prej kohësh në tokën amerikane.
“Për ne është e papranueshme që armët bërthamore amerikane të mbeten ende në një numër shtetesh evropiane në kundërshtim me pikat themelore të Traktatit të Mospërhapjes. Praktika e keqe e misioneve të përbashkëta bërthamore me pjesëmarrjen e shteteve jo-bërthamore të NATO-s vazhdon. Gjatë misioneve të tilla, po praktikohet përdorimi i armëve bërthamore kundër Rusisë.”- deklaroi ai, sipas agjencisë së lajmeve rusë TASS. “Armët bërthamore amerikane duhet të ishin kthyer prej kohësh në shtëpi dhe infrastruktura përkatëse në Evropë duhet të ishte eliminuar prej kohësh.”
Sergej Lavrov theksoi se Rusia gjithmonë ka besuar se nuk mund të ketë fitues në një luftë bërthamore dhe se një luftë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë.
“Ky parim është konfirmuar në deklaratën e përbashkët të 16 qershorit të vitit 2021 të presidentëve të Rusisë dhe SHBA-së, si dhe në deklaratën e përbashkët të 28 qershorit të vitit 2021 të krerëve të Rusisë dhe Kinës.
Është e rëndësishme që, sipas nismës Ruse dhe me pjesëmarrjen e saj më aktive, më 3 janar u zhvillua dhe u miratua një deklaratë e përbashkët e liderëve të pesë fuqive bërthamore për parandalimin e luftës bërthamore dhe parandalimin e një gare armatimesh.”– shtoi Lavrov.