Vendosni fjalën kyçe....

Meta thirrje qytetarëve: Të ndjekim nismën e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe të mbledhim ndihma në mbështetje të popullit ukrainas


Presidenti Ilir Meta ka një thirrje për qytetarët shqiptarë për të ndihmuar popullin ukrainas në këto momente të vështira të luftës me Rusinë.

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se për shkak të luftimeve të ashpra, situata humanitare në Ukrainë është tepër kritike dhe iu bën thirrje të gjithëve të ndjekin nismën e Kryqit të Kuq Shqiptar, për të mbledhur ndihma në mbështetje të popullit ukrainas.

“Të dashur qytetarë,

Për shkak të luftimeve të ashpra, situata humanitare në Ukrainë është tepër kritike.
Me përulësi ju bëj thirrje të gjithëve të ndjekim nismën e Kryqit të Kuq Shqiptar, për të mbledhur ndihma në mbështetje të popullit ukrainas që po lufton heroikisht në çdo qytet, lagje e rrugë.
Humanizmi dhe solidariteti njerëzor janë tipare të çmuara të kombit tonë.
Shqipëria qëndron përkrah Ukrainës dhe popullit të saj.”– bën thirrje Presidenti Meta.