Vendosni fjalën kyçe....

Polonia dhe Bullgaria refuzojnë furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë


Ukraina ka pretenduar se tre vende të NATO-s do të dërgojnë avionë në mes të konfliktit me Rusinë. Presidenti polak Andrzej Duda ka deklaruar të hënën se Polonia dhe NATO nuk janë pjesë e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës dhe për këtë arsye nuk mund të dërgojnë avionë për t’iu bashkuar luftimeve.

“Ne nuk po dërgojmë asnjë avion në Ukrainë, sepse kjo do të hapte një ndërhyrje ushtarake në konfliktin ukrainas. Ne nuk po i bashkohemi atij konflikti. NATO nuk është palë në atë konflikt.”- tha ai në një konferencë për shtyp pas takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke shtuar se ata po i mbështesin ukrainasit me ndihma humanitare, citon RT.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ka konfirmuar gjithashtu se NATO nuk do të ishte pjesë e konfliktit dhe për këtë arsye nuk do të dërgonte trupa dhe aeroplanë në Ukrainë. Megjithatë, ai konfirmoi se NATO do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetje financiare dhe ushtarake, si armë antitank, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe lloje të tjera të pajisjeve ushtarake.

Këtë të martë, Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan zyrtarisht në faqen e tyre në “Facebook” se tre vende të NATO-s, Polonia, Sllovakia dhe Bullgaria do të dorëzonin më shumë se 70 avionë luftarakë për ushtrinë ukrainase. Supozohej se avionët do të mund të operonin nga fushat ajrore polake.

Mirëpo Ministria bullgare e Mbrojtjes i tha mediave lokale të martën se nuk e ka konsideruar ofrimin e avionëve luftarakë për Ukrainën.

Konflikti ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës shpërtheu të enjten pasi autoritetet ruse nisën një operacion ushtarak, duke pretenduar se ishte i nevojshëm “çmilitarizimi” dhe “denazifikimi” i Ukrainës për të mbrojtur Republikat Popullore të Donetskut dhe Luganskut. Komuniteti ndërkombëtar vendosi sanksione të rënda kundër Rusisë dhe mbylli hapësirën ajrore të më shumë se 30 vendeve në mbarë botën si përgjigje.