Vendosni fjalën kyçe....

Raundi i dytë i bisedimeve Rusi-Ukrainë do të mbahet më 2 mars


Një raund tjetër bisedimesh midis delegacioneve ruse dhe ukrainase është planifikuar për më 2 mars. Të paktën kështu ka raportuar këtë të martë agjencia e lajmeve ruse TASS dhe media e Ukrainës, Zerkalo Nedeli.

Një tjetër media ukrainase, Glavkom, duke cituar burime nga delegacioni ukrainas, zbuloi kushtet e avancuara nga palët gjatë takimit të parë.

Sipas kësaj medieje, Rusia i kërkoi Ukrainës të angazhohej për të dokumentuar statusin e saj jashtë bllokut në nivel parlamentar dhe për të organizuar një referendum për këtë çështje. Përveç kësaj, pala ruse kërkoi nga Ukraina të njohë Republikat Popullore të Donetskut dhe Luganskut në kufijtë administrativë të rajoneve përkatëse dhe të heqë dorë nga kërkesa që Krimea t’i kthehet Ukrainës.

Ukraina nga ana tjetër sipas Glavkom, kërkoi një armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse nga territori i saj.

Kujtojmë se raundi i parë i bisedimeve ruso-ukrainase u mbajtën të hënën. Bisedimet zgjatën pesë orë. Delegacioni rus udhëhiqej nga ndihmësi i presidentit Vladimir Medinsky, i cili tha më herët se delegacioni rus ishte i gatshëm të fliste me palën ukrainase për aq kohë sa mund të duhej për të arritur një marrëveshje. Ai tha gjithashtu se delegacionet kishin rënë dakord paraprakisht që raundi tjetër i bisedimeve të mbahet në Bjellorusi.