Vendosni fjalën kyçe....

Zelelnsky i kërkon Rusisë të ndalë bombardimet përpara bisedimeve të radhës


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën se Rusia duhet të ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase përpara se të fillojnë bisedimet kuptimplota për një armëpushim, pasi raundi i parë i negociatave këtë javë kishte sjellë përparim të pakët.

Duke folur në një intervistë në një kompleks qeveritar të mbrojtur fort, Zelensky u kërkoi anëtarëve të NATO-s të vendosin një zonë ndalim fluturimi për të ndaluar forcën ajrore ruse, duke thënë se kjo do të ishte një masë parandaluese dhe jo për të tërhequr aleancën në luftë me Rusinë.

Zelensky, i cili ka refuzuar ofertat për t’u larguar nga kryeqyteti ukrainas ndërsa forcat ruse përparuan, tha gjithashtu se Ukraina do të kërkonte garanci ligjërisht të detyrueshme sigurie nëse NATO mbyll derën për perspektivat e anëtarësimit të Ukrainës.

Duke vendosur kushtet e tij për bisedime të mëtejshme me Rusinë, Zelensky i tha Reuters dhe CNN në një intervistë të përbashkët: “Është e nevojshme që të paktën të ndalet bombardimi i njerëzve, thjesht të ndalojë bombardimet dhe më pas të ulet në tryezën e bisedimeve“.

Pikërisht teksa ai po fliste, doli lajmi se një raketë ruse kishte goditur një kullë televizive pranë një vendi përkujtimor të Holokaustit në kryeqytetin ukrainas, duke vrarë të paktën pesë persona. Më herët të martën, raketa goditën zemrën e qytetit lindor të Kharkiv.